Veriu i Europës “hap dyert” për refugjatët; vendet nordike, kuota të reja

10/09/2015 20:00

Sistemi i ri i shpërndarjes së refugjatëve ka detyruar edhe vendet nordike që të kenë një sistem të ri kuotash.

Me një standard të lartë jetese, këto shtete nuk shquhen për politika pro emigracionit, duke i përzgjedhur edhe ata pak persona që pranohen për të ndërtuar jetën atje. Por kriza e emigracionit i ka përfshirë edhe qeveritë e shteteve nordike në vorbullën e saj.

Pas shumë kontestimesh, Norvegjia pranoi propozimet e presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, dhe vendi do të hapë dyert për afërsisht 3000 refugjatë. Më parë, qeveria e Oslos kishte pranuar vetëm 600 azilkërkues, numër ky relativisht i vogël në krahasim me vendet e tjera të Bashkimit Europian.

Po ashtu, Finlanda do të strehojë 2800 refugjatë, të cilët sipas ministrit të Drejtësisë, do të përzgjidhen nga të ardhurit e zonës së  luftës. E ndërsa Islanda, e cila që prej vitit 2009 ka statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian, nuk do të ngelë pa përgjegjësi në këtë kauzë.  Edhe pse me një popullsi shumë herë më të vogël në krahasim me vendet e tjera, vetëm 330 mijë banorë, Islanda numëron 154 aplikime për azil që në fillim të këtij viti.  51% e këtyre aplikimeve janë nga Shqipëria.

Edhe pse sistemi i ri i kuotave nuk e detyron Islandën për të marrë refugjatë për shkak se ende nuk është pjesë e unionit, ministri i Jashtëm deklaroi se vendi do të presë deri në 1 mijë refugjatë. Shumë refugjatë i janë drejtuar veriut të Europës me idenë se kushtet e azilit atje janë shumë herë më të mira se në çdo pjesë tjetër të kontinentit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA