Me refuzimin për të deklaruar shkallën dhe natyrën e pranisë ushtarake në Siri, Rusia synon të forcojë pozicionin e saj përballë Perëndimit para mbledhjes së Kombeve të Bashkuara, ku do të diskutohet kjo çështje.
Ky është kendvështrimi i diplomatëve perëndimorë të akredituar në Moskës. Nga fundi i këtij muaji, Presidenti Vladimir Putin pritet të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara për të folur në takimin e OKB-së në Nju Jork. Kjo është vizita e parë e shefi të Kremlinit në Shtetet e Bashkuara që prej 8 vitesh.
Objektivi i Moskës është përfshirja e aleatit të saj të hershëm, Bashar al-Assad në bisedimet e komunitetit ndërkombëtar në përpjekjet për t’u përballur me kërcënimin e ekstremistëve të ISIS-it.
Zyrtarë amerikanë deklaruan të mërkurën se Moska ka dërguar tanke, avionë dhe një numër të vogël trupash që luftojnë në krah të Basha al-Assad kundër forcave të koalicionit opozitar dhe atyre të xhihadistëve të ISIS-it dhe Al Kaedas bashkë.
“Gjithçka bëhet për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Nëse vërtet do të nisë një dialog i ri mes Moskës dhe Uashingtonit, tashmë kemi një situatë krejt të re, një ndryshim balancash influence”, deklaroi për Reuters në kushtet e anonimatit një diplomat perëndimor i vendosur në kryeqytetin rus.
Javët e fundit Rusia ka lëshuar disa sinjale se është e interesuar për një takim të drejtpërdrejtë mes Putinit dhe Obamës. Marrëdhëniet mes dy vendve janë ftohur më së shumti për shkak të krizës në Ukrainë dhe ndërhyrjes ruse atje, që pasoi sanksione dhe antisanksione nga të dyja palët.
Top Channel