Lista e “vendeve të sigurta”, shtypi gjerman mbështet Merkelin

10/09/2015 12:40

Vendimi i qeverisë gjermane për të përfshirë edhe Kosovën, Shqipërinë dhe Malin e Zi, në listën e vendeve të sigurta të origjinës është komentuar nga shtypi vendas.

“Është e drejtë, që Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi të shpallen si shtete të sigurta origjine. Emigracioni nga këto vende ka kryesisht motive ekonomike. Ndaj, me shumë pak përjashtime, pothuajse nuk ka arsye për azil, për ata që vijnë nga këto vende. Megjithatë, përjashtime për të fituar azilin në Gjermani bëhen edhe pas klasifikimit ‘si vend i sigurt origjine’”, shkruan e përditshmja gjermane “Tageszeitung”.

Por, sipas medias, për 99% të tyre, ky klasifikim ose e mundëson përshpejtimin e procedurës, ose ka efekt stepjeje. Kapacitetet që çlirohen prej kësaj mund të shfrytëzohen për refugjatët, të cilët kanë nevojë më urgjente për ndihmë.

Para një viti u shpall grupi i parë i vendeve të Ballkanit, si shtete të sigurta origjine. Por, ndërkohë, është bërë e qartë se “kjo masë e marrë për të shfuqizuar të drejtën për azil nuk ka pasur efekt. Numri i atyre, që vijnë prej këtyre vendeve, ka mbetur pothuajse i pandryshuar”, shkruan “Tageszeitung”.

Gazeta “Suddeutsche Zeitung” shkruan se “vetëm një javë pas përurimit të qendrës për azilkërkuesit nga Ballkani në Manching, janë kthyer në atdhe azilkërkuesit e parë të refuzuar”.

Siç njofton Ministria e Brendshme e Bavarisë, të martën u nis një avion “charter” me 111 kosovarë në bord nga aeroporti i Mynihut, drejt Prishtinës. Këtej e tutje “pothuajse çdo javë do të ketë kthime kolektive”, thotë një zëdhënës.

“Qendra e pranimit të refugjatëve nga Ballkani në Manching ofron 500 vende dhe është e para strehimore e këtij lloji në Gjermani, në të cilën pranohen azilkërkues pa perspektivë qëndrimi”, shkruan më tej “Suddeutsche Zeitung”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA