Fushata kundër ISIS, ekspertët ankohen për manipulim raportesh

10/09/2015 13:10

Me dhjetëra ekspertë të inteligjencës, të punësuar pranë Komandës Qendrore ushtarake amerikane, janë ankuar se raportet e tyre mbi ISIS-in dhe Frontin al-Nusra në Siri janë ndryshuar nga eprorët.

“Daily Beast” raportoi mbrëmjen e së mërkurës se, mbi 50 ekspertë i janë drejtuar Pentagonit me pretendimet se, në informacionet e tyre është ndërhyrë me qëllimin t’i bëjnë të dy grupet në fjalë të duken më të dobësuara, prej sulmeve ajrore të koalicionit, nga çfarë janë në të vërtetë.

Disa zyrtarë, me sa duket, i kanë gjykuar përmbledhjet në fjalë si tepër negative. Për këtë arsye, vlerësimi i bërë situatës në Siri dhe efekteve të fushatës ajrore kundër ISIS-it, ose është bllokuar duke mos mbërritur dot në tryezat e ligjvënësve, ose është kthyer mbrasht në zinxhirin e drejtimit.

“Daily Beast” citon 11 individë të kenë bërë të tilla pohime, ndërsa të tjerë kanë thënë se, nga faqet e raporteve të tyre ishin fshirë elementët më kyçë, çfarë ndryshonte edhe përfundimet në të cilat ata kishin dalë.

Arsyeja e manipulimeve të tilla duket se është paraqitja e një tabloje më pozitive të luftës kundër Shtetit Islamik në Siri, me qëllimin që të tregohet se përpjekjet në kuadër të fushatës së shumë trumpetuar ajrore, po japin frytet e dëshiruara.

Këndvështrimi i 50 ekspertëve mbi ecurinë e angazhimit për shkatërrimin e ISIS-it apo al-Qaedës janë më pesimiste, në një kohë kur në muajin korrik, njeriu i ngarkuar me koordinimin e fushatës anti-ISIS, John Allen deklaroi se, Shteti Islamik është duke e humbur luftën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA