Dhënia e lejes nga Parlamenti për mbajtjen në “arrest me burg” të Armando Prengës dhe dorëzimi i mandatit nga Arben Ndoka, nuk janë akte që mund të kënaqin opozitën në procesin e dekriminalizimit.
Lulzim Basha e përshkallëzoi presionin ndaj koalicionit qeveritar dhe e krahasoi procesin me një valë, që nuk do të ndalet derisa misioni të kryhet i plotë.
“U bëj thirrje të gjithë deputetëve, kryebashkiakëve dhe zyrtarëve me rekorde kriminale, të çdo partie qofshin, të japin dorëheqjen nga postet dhe detyrat që mbajnë. Askush nuk do të mund t’i shmanget dekriminalizimit. Edi Rama gënjen veten, nëse mendon se, duke lëshuar ndonjë aty-këtu, do t’a kalojë lumin. Duhet ta dijë se është në shenjestër, si arkitekti i kriminalizimit. Në shënjestër të opozitës, publikut dhe partnerëve”, tha kreu i PD-së.
Lulzim Basha i përmendi disa herë amerikanët dhe europianët, si bashkëpunëtorë të opozitës në procesin e dekriminalizimit.
“Partnerët tanë janë të skandalizuar dhe të tronditur me rekordet e zeza të qeverisë. Edi Ramës i kërkohet prej kohësh, t’u japë duart njëherë e mirë individëve me rekorde kriminale, në qeverisjen e tij. Kryeministri i Shqipërisë i ka sfiduar këto thirrje, me mendësinë tipike të Haxhi Qamilit ‘Ç’më duhet Uashingtoni, kur kam Roshin. Ç’më duhet Brukseli, kur kam Bushin’”, ka vijuar deklaratën e tij kryetari i opozitës, Basha.
Një nga 5 kërkesat e Partisë Demokratike është miratimi nga Parlamenti, brenda shtatorit, i paketës së dekriminalizimit, por në kushtet kur mazhoranca nuk e ka futur në kalendarin trejavor të punimeve, kjo paketë do të nise të diskutohet të premten në Komisionin e posaçëm për Dekriminalizimin.
Lulzim Basha foli sërish për përshkallëzim të veprimeve të opozitës, nëse Edi Rama e pengon procesin dhe nuk tregon vullnet për t’i çuar para drejtësisë Ilir Metën dhe Saimir Tahirin.
“Dëshirojmë zgjidhje institucionale. Por nuk do të presim, sepse nuk ka më kohë për të pritur. Këto kërkesa do t’i ndajmë dhe çojmë përpara me qytetarët shqiptarë në turin politik, që unë dhe të gjithë së bashku me mua, do të ndërmarrim në mbarë vendin, nga Jugu në Veri, nga Lindja në Perëndim. Nyja e nyjeve, ku janë lidhur skandalet, turpet, dështimet dhe kriza e thellë ekonomike është kryeministri i vendit, qeverisja e tij e dështuar. Po vjen ora e veprimeve. Do të vendosim me qytetarët, do të veprojmë me qytetarët, do të fitojmë me qytetarët dhe për qytetarët”, përfundoi deklaratën e tij kryeopozitari Basha.
Top Channel