Dy agjentë të shërbimeve sekrete janë vënë në pranga në Meksikë, në vazhdën e arrestimeve në lidhje me arratisjen nga burgu të baronit të drogës Joaquin “El Chapo” Guzman 11 korrikun e kaluar.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, ka qenë një prokuror që po heton rastin që ka autorizuar arrestimin e dy agjentëve sekretë, që punonin si të infiltruar në burgun e sigurisë së lartë ku ndodhej “El Chapo”.
Bashkë me ta, nën akuzën se kanë ndihmuar bosin e narkotrafikut në arratisjen e tij kanë përfunduar edhe dy gardianë të burgut.
Javën e kaluar, arratija e Guzman mori një kthesë të papritur, pasi djali i tij postoi në rrjetet sociale një foto ku shfaqej i ulur në një lokal dhe pranë tij një person që dyshohet se ishte pikërisht i ati.
Djaloshi nuk e kishte çaktivizuar opsionin e lokalizimit, që tregonte se ai ndodhej në Kosta Rikë. Por jo vetëm kaq, ai e shoqëronte foton me diçiturën “Gusht. Ju e dini me kë jam”.
Edhe pse fytyra e tij nuk shihet mirë, hetuesit, bazuar tek mustaqet e tij, janë të bindur se bëhet fjalë për supertrafikantin.
Top Channel