Ban Ki-moon: Eksodi i sirianëve, ndërkombëtarët dështuan në zgjidhjen e konfliktit

07/09/2015 18:00

Për Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, eksodi  i madh i sirianëve ka vetëm një shpjegim, atë të dështimit të ndërkombëtarëve në konfliktin e rajonit të trazuar.

Sipas Ban Ki-moon, ky eksod, që shënon largimin historik të popullit sirian, është një tregues i qartë se njerëzit atje po luftojnë për të mbijetuar. Në një intervistë për britaniken “The Guardian”,  Ban Ki-moon i bëri thirrje të gjitha palëve, që të shikojnë përtej interesave personale dhe të bëhen pjesë e zgjidhjes.

“Ne si pjesëtarë të Këshillit të Sigurimit duhet të tregojmë solidaritet në këtë çështje. Kur jemi të ndarë është shumë e vështirë për ne që të bashkëpunojmë. Ndaj u kërkoj të gjithëve që të heqin dorë nga ambiciet personale dhe të shikojnë përtej interesave të tyre. Ne duhet të punojmë për interesin global”, tha Ban Ki-moon.

Edhe pse Ban Ki-moon nuk përmendi në mënyrë specifike Rusinë apo Kinën, këto janë të vetmet qeveri që kanë bllokuar disa rezoluta për Sirinë, fakt ky që ka ushtruar presion jo vetëm te anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit, por edhe te qeveria siriane.

Vitin e shkuar, Moska dhe Pekini nuk i dhanë mundësinë OKB-së që të çonte për të hetuar konfliktin e Sirisë në gjykatën penale ndërkombëtare. Kjo nuk është hera e parë që Sekretari i Përgjithshëm i OKB ka folur me tone të ashpra ndaj komunitetit ndërkombëtar. Më shumë se 300 mijë persona kanë humbur jetën për shkak të konfliktin, e ndërsa 22 milionë janë shpërngulur prej andej. Ky është cilësuar si eksodi më i madh i gjeneratës, ku vetëm këtë vit 350 mijë sirianë kanë aplikuar për azil në Europë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA