Papa Françesku iu ka kërkuar kishave katolike në Europë që të tregojnë mëshirë për refugjatët që kanë mbërritur në vendet e tyre duke iu ofruar strehim.
“Do të doja që çdo famulli, çdo pjesëtar i këtij komuniteti fetar, çdo manastir, çdo kishë të strehojë nga një familje, duke filluar nga dioqeza ime e Romës”, u shpreh Papa Françesku në fund të lutjeve të së dielës.
“Dy famullitë në Vatikan këto ditë do të mirëpresin dy familje refugjatësh”, vazhdoi kreu i Selisë së Shenjtë.
Ndërkohë, moti me shi nuk e ka ndalur udhëtimin e refugjatëve sirianë në këmbë nga Hungaria drejt vendeve të tjera të Europës. Kjo sepse drejtuesit hungarezë të autobusëve refuzuan të transportonin të gjithë azilantët, duke i detyruar këta të fundit të shoqëroheshin nga policë që i ndriçonin rrugën me pishtarë.
Por, gjithë ky mundim duket se deri diku iu shpërblye refugjatëve, të cilët përtej kufijve të Hungarisë, në Austri apo në Gjermani, u pritën nga mjekë, grupe vullnetare me ushqime dhe veshje.
Top Channel