Moti me shi nuk e ka ndalur udhëtimin e refugjatëve sirianë në këmbë nga Hungaria drejt vendeve të tjera të Europës. Kjo sepse drejtuesit hungarezë të autobusëve refuzuan të transportonin të gjithë azilantët, duke i detyruar këta të fundit të shoqëroheshin nga policë që i ndriçonin rrugën me pishtarë.
Por, gjithë ky mundim duket se deri diku iu shpërblye refugjatëve, të cilët përtej kufijve të Hungarisë, në Austri apo në Gjermani, u pritën nga mjekë, grupe vullnetare me ushqime gjithashtu edhe me veshje.
As tendat e Kryqit të Kuq nuk munguan pasi disa refugjatë ishin sulmuar rrugës me granata që lëshonin tym, të cilat ishin hedhur nga njerëz të paidentifikuar. Vetëm në Mynih kanë zbarkuar 3 mijë refugjatë numër ky që pritet të shkojë deri në 7 mijë në ditët në vazhdim.
Komisioneri i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres tha se ky është një moment definitiv, fakti që shtetet kanë hapur dyert për refugjatët. Kjo sepse më parë zbatohej politika që azilantët do të qëndronin në shtetin e parë ku mbërrinin.
Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk u shpreh se ndarja e refugjatëve në të gjithë Europën është një sfidë për unionin. Por, ndryshe nga parashikimet, Gjermania i mikpriti me entuziazëm refugjatët. Në një status në Tëitter, Angela Merkel u shpreh: „Nëse Europa dështon me çështjen e refugjatëve, kjo nuk do të jetë Europa që ne të gjithë dëshirojmë”.
Ndërsa, disa nga gjermanët përveçse me pankarta nëpër duar që kishin mbishkrime të përzemërta, u shprehën se kjo është një çështje që duhet treguar solidaritet.
“Ne duhet t’u japim refugjatëve gjithçka kemi mundësi. Është e tmerrshme se si ata janë trajtuar në Hungari”, u shpreh një shtetase gjermane.
Top Channel