Dhuna ndaj të huajve në Gjermani

31/08/2015 00:00

Protestat e dhunshme të kohëve të fundit dhe sulmet ndaj qendrave të pritjes së refugjatëve kanë rindezur debatet mbi ekstremizmin e djathtë në Gjermani. Por ministri i Brendshëm i Rheinland-Palatinate, Roger Lewentz, një politikan i zëshëm në perëndim të vendit, mendon se problemi është më i theksuar në lindje.

Në një intervistë për gazetën “Welt”, Lewentz thekson se në rajonet lindore prirja drejt ksenofobisë dhe radikalizmit është më e madhe se në perëndimin e Gjermanisë. Të tilla pohime zyrtari gjerman i mbështet tek faktet e mbledhura nga Dhoma e Lartë e Parlamentit, Bundesrat-i lidhur me grupimin e ekstremit të djathtë NPD, e të depozituara në Gjykatën Kushtetuese të vendit të premten me shpresën që kjo parti të ndalohet.

Dokumenti liston plot 370 incidente, pjesa më e madhe e të cilave janë regjistruar në lindje. Leëentz tenton në pohimet e tij t’i japë dhe një shpjegim këtij fenomeni, duke argumentuar se Gjermania Lindore nuk ka pasur të njëjtin ekspozim ndaj të huajve dhe kulturave të tjera përgjatë dekadave që e kanë përballur perëndimin me të tilla situata. Bashkëjetesa me njerëz që kanë histori emigracioni, duhet mësuar, thotë politikani social-demokrat.

Qyteti gjerman i Heidenau-t, pranë Dresden-it, pushtoi vëmendjen e mediave javën e kaluar pasi demonstrata fillimisht paqësore kundër mbërritjes së emigrantëve në një qendër pritjeje, mori kthesë të dhunshme. Përleshje të ashpra shpërthyen mes protestuesve dhe policisë që tentoi t’i jepte fund bllokimit të një rruge ku do të kalonin autobuzët me azilkërkues. Ministria e Brendshme gjermane vlerëson se me këtë ritëm, deri në fund të vitit 2015, vendi duhet të përgatitet të presë rreth 800.000 emigrantë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta