Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian janë ftuar në një takim të jashtëzakonshëm më 14 shtator për të diskutuar mbi krizën e emigrantëve.
Luksemburgu, i cili mban presidencën e radhës të Bashkimit Europian dhe që e ka ftuar takimin, përmes një deklarate ka kërkuar që Europa duhet të ketë një përgjigje përballë këtij fluksi të madh emigrantësh.
“Situata e migrimit brenda dhe jashtë kufijve të Bashkimit Europian është duke marrë përmasa të mëdha. Për të vlerësuar situatën, veprimet politike dhe për të diskutuar hapat që duhet të ndërmerren, ministri i Imigracionit dhe Azilit, Jean Asselborn ka vendosur të thërrasë një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit të JHA-së”, thuhet në deklaratë.
Këshilli i JHA-së, është Këshilli i Drejtësisë dhe Çështjeve të Brendshme që zakonisht mblidhet çdo tre muaj e që përbëhet nga ministrat e Brendshëm ose të Drejtësisë të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Në këtë deklaratë thuhet gjithashtu se takimi do të fokusohet në politikën e bashkëpunimit ndërkombëtar, hetimit dhe masat që duhet të ndërmerren për të parandaluar trafikimin e qenieve njerëzore si dhe kthimin e emigrantëve.
Top Channel