Fizikantja Laura Mersini, organizatore e konferencës botërore të fizikantëve

28/08/2015 00:00

Në kryeqytetin e Suedisë, Stokholm, po mbahet një nga koferencat më të mëdha të shkencës së astrofizikës, ku po marrin pjesë emrat më të shquar të kësaj fushe.

Ky projekt, i cili ka nisur prej datës 24 gusht dhe që zgjat 6 ditë, ka si organizatore të tij, Laura Mersini, vajzën shqiptare, e cila është një nga kozmologet dhe fizikantet më të njohura ndërkombëtarisht.

Në një nga këto takime historike të fizikantëve më të mirë të botës, nuk ka munguar as Stephen Hawking, i cili jo vetëm që iu përgjigj pozitivisht ftesës së Mersinit dhe kolegëve të saj të Universitetit të Karolinës së Veriut, por zgjodhi pikërisht këtë event që të shpaloste edhe një nga teoritë e tij më të fundit, atë të paradoksit të vrimave të zeza.

Profesori Stephen Hawking hodhi poshtë teorinë historike të Einstein-it, i cili thotë se vrimat e zeza kanë gravitet aq të lartë saqë mund të kenë një efekt shkatërrues.

“Nëse e gjeni veten brenda një vrime të zezë, mos hiqni dorë, ka një rrugë shpëtimi për të dalë prej saj”, thotë Hawking.

Zgjidhja e këtij paradoksi, si nga ligjet themelore të teorisë kuantike ka zënë faqet e para në mediat ndërkombëtare, duke e promovuar akoma edhe më shumë aktivitetin e Stokholmit.

Organizatorët e eventit ndihen të lumtur për ecurinë e tij, ku sigurisht nuk ka munguar as promovimi i shkencëtares Laura Mersini, si ideatorja e tij.

Vetë Stephen Hawking e ka falenderuar specifikisht kolegen e tij nëpërmjet statusit në “Facebook”, duke thënë se “Laura nuk mblodhi bashkë vetëm fizikantë, por edhe miq të mirë”. Mersini është një nga emrat më të shquar shqiptar që perfaqëson në mënyrë dinjitoze vendin tonë në botën e shkencës.

Me origjinë nga Vlora, Laura u shkëput nga qyteti i saj për të mbaruar një pjesë të studimeve në Universitetin e Tiranës, duke i finalizuar ato në Merilend të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E që prej vitit 2002, ajo ka nisur karrierën e saj të lidhur ngushtë me shkencën në Universitetin e Karolinës së Veriut, karrierë të cilën Laura Mersini e ka pasuruar me çmime të shumta si kozmologe dhe fizikante, duke u kthyer në një emër të rëndësishëm të referencave shkencore mbi universin tonë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB