Meloni kundër Merz për SHBA: Nuk pajtohem me kritikat e kancelarit për politikat amerikane Për ministrin e Jashtëm të Austrisë, rregullorja e Dublinit, pjesë e rëndësishme e boshtit të politikave europiane të azilit, nuk po zbatohet dot siç duhet.
Sistemi në fjalë parashikon që azilkërkuesit t’i plotësojnë aplikimet e tyre në vendin e BE-së, ku mbërrijnë më së pari. Por fluksi rekord i emigrantëve në kontinentin e vjetër e vështirëson së tepërmi funksionimin e rregullores në fuqi.
“E vërteta është se rregullorja e Dublinit nuk ecën më, ashtu siç është e vërtetë edhe ideja e nevojës për një kontroll funksional të kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian. Pra, me fjalë të tjera, nëse nuk kemi kontrolle vepruese në këto kufij të bllokut, atëherë e gjithë ideja e një bashkimi pa kufij të brendshëm është në rrezik”, tha Sebastian Kurz, ministër i Jashtëm i Austrisë.
Sipas BBC-së, për të cilën Sebastian Kurz ka dhënë këtë deklaratë, fjalia e fundit nënkupton se, e rrezikuar nga kriza e krijuar prej valës së paprecedentë të emigrantëve mund të jetë edhe lëvizja e lirë në shumicën e shteteve europiane.
Dy ditë më parë, Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez, Francois Hollande, u shprehën për një politikë të përbashkët azilimi. Kërkesat e tyre për qendra europiane regjistrimi në Itali dhe Greqi, për një ndarje të drejtë të barrës së emigrantëve dhe kthim të shpejtët të azilkërkuesve të refuzuar, sinjalizojnë se në linjën e bllokut ndaj refugjatëve, disa gjëra pritet të ndryshojnë.
Merkel kërkoi që të gjitha shtetet e BE-se ta vënë plotësisht në jetë ligjin e përbashkët të azilit. Veç kësaj, blloku duhet të ketë përkufizim të unifikuar, se cilat vende ballkanike duhen parë si shtete të origjinës së sigurtë, e cilat jo. Para 9 vitesh, Komisioni i BE-së propozoi një listë me vende të tilla, por nuk e zbatoi dot vullnetin e tij. Në shtator, kjo temë do të ritrajtohet.
Top Channel