Një shtetas maroken ka plagosur 3 persona në një tren të shpejtësisë së lartë, i cili ishte nisur nga Amsterdami dhe kishte si destinacion Parisin, para se të neutralizohej nga dy pasagjerë të tjerë amerikanë.
Incidenti ndodhi mbrëmjen e së premtes pranë qytetit francez, Arras, ndërsa autori i kësaj ngjarje është arrestuar nga policia franceze në stacionin e këtij qyteti.
Sipas raporteve të para të mediave franceze, një nga të plagosurit është shtetas amerikan, ndërsa një tjetër është anglez, të dy në gjendje të rëndë shëndetësore. I plagosuri i tretë ende nuk është identifikuar.
Autori i kësaj ngjarje është një shtetas maroken 26-vjeçar, të cilit i është gjetur një kallashnikov, një pistoletë dhe një thikë.
Mediat franceze thanë se personi i arrestuar ishte i njohur për shërbimet e inteligjencës. Ndërsa deri tani 26-vjeçari ka refuzuar të flasë për policinë.
Kryeministri i Belgjikës, Charles Michel e cilësoi incidentin si një sulm terrorist, ndërsa vlerësoi dy amerikanët që neutralizuan autorin.
“Unë dua të shpreh mirënjohjen dhe admirimin tonë për vetëpërmbajtjen që treguan. Ndoshta e kemi shmangur të keqen”, tha Michel.
Ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve udhëtoi për Arras menjëherë pas ngjarjes, nga ku vlerësoi menjëherë veprimin e dy amerikanëve. “Ata treguan guxim dhe trimëri të madhe në rrethana shumë të vështira. Pa qetësinë e tyre, kjo ngjarje mund të ishte kthyer në tragjedi”, tha ministri francez. Cazeneuve shtoi se në vendngjarje ishte takuar edhe me aktorin francez Jean-Hugues Anglade, i cili ndodhej në tren dhe mbeti i plagosur lehtë teksa kishte thyer xhamin për të aktivizuar alarmin.
Mediat franceze thanë se dy personat që neutralizuan autorin e ngjarjes ishin marinsa amerikanë, të cilët, pasi kishin dëgjuar autorin të mbushte armën, kanë reaguar menjëherë pasi ai doli nga një kabinë e vogël në tren.
Autoritetet britanike thanë se ishin në dijeni të ngjarjes dhe se ishin në kontakt me autoritetet franceze, të cilavë i është kërkuar urgjentisht informacion.
Top Channel