
Të paktën 107 mijë refugjatë kanë hyrë në kontinentin europian vetëm gjatë muajit korrik, duke kaluar çdo rekord të arritur deri më sot. Lajmi u bë i ditur nga agjencia e kontrollit kufitar të vendeve europiane “Frontex”, e cila bëri me dije se numri i të ardhurve gjatë muajit të kaluar kalonte edhe fluksin e mbi 70 mijë refugjatëve të ardhur gjatë qershorit dhe përbën një shifër 3 herë më të madhe, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Pjesa më e madhe e refugjatëve u përket vendeve si Siria dhe Afganistani, bëri me dije gjatë konferencës për shtyp drejtori ekzekutiv i “Frontex”, Fabrice Leggeri, sipas të cilit shumica ka ardhur në Europë nëpërmjet Turqisë për në Greqi. Kjo është një situatë emergjence – shtoi ai, – që kërkon vëmendjen e të gjithë vendeve të unionit, të cilët duhet të tregojnë më tepër mbështetje për autoritetet e vendeve që po përballen me këtë situatë.
Sipas “Frontex”, kufinjtë më aktive ishin ato të ishujve grekë pranë Turqisë, prurjet e të cilëve numërojnë 50 mijë emigrantë të ardhur në Lesbos, Hios, Samos dhe Kos. Por nuk mund të mos përmendet edhe Italia, me kanalin e Siçilisë, me emigrantë që vinin kryesisht nga Eritrea dhe Nigeria, ashtu sikurse edhe Hungaria, prurjet e së cilës i përkasin vendeve të Ballkanit, gjë që detyroi autoritetet e vendit të shtonin kontrollet e të ndërtonin madje edhe një mur në kufi për t’i ndaluar.
Në total, të dhënat numërojnë afro 340 mijë emigrantë të futur në vendet e unionit, kryesisht nga Italia, Greqia dhe Hungaria gjatë 2015-s, që përbëjnë 175% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, ku numëroheshin 280 mijë të ardhur.
Top Channel