Forcat amerikane sekuestrojnë anijen cisternë me flamur panamez në detin Indian, dyshohet se kishte lidhje me iranin dhe Rusinë Hillary Clinton kaloi në kundërsulm ndaj njërit prej rivalëve republikanë në rrugën drejt Shtëpisë së Bardhë, Jeb Bush. Komentet e tij, mbi përgjegjësinë e paqëndrueshmërinë në Irak, nuk e lanë indiferente ish-Zonjën e Parë.
Të martën, Bush e akuzoi administratën “Obama” për një tërheqje të parakohshme të forcave amerikane nga vendi i trazuar në 2011-n, veprim që – sipas tij, – pati një kosto shumë të madhe. Por, me një lëvizje të zgjuar, Clinton i kujtoi kundërshtarit se, largimin e Shteteve të Bashkuara nga Iraku e kishte negociuar pikërisht i vëllai George W. Bush, në kohën kur ishte President i Amerikës.
Lufta e nisur në Irak në 2003-shin u pasua nga vite të tëra dhune në vendin e Lindjes së Mesme. Tërheqjen prej andej, 4 vite më parë, Jeb Bush e cilësoi një “gabim fatal”, i cili destabilizoi kombin e i hapi rrugën rritjes së militantëve të Shtetit Islamik.
Të etur për të shkruar historinë, ata dështuan të jenë paqeruajtës, – tha Bush, duke iu referuar Obamës dhe vetë Clintonit, Sekretare Shteti nga viti 2009 deri në 2013-n. – T’i largohesh nxitimthi rrezikut, mund të jetë mungesë mençurie po aq e madhe, sa të vraposh drejt tij, – shtoi pretendenti republikan për Presidencën e SHBA-ve. Përgjigjen e saj, Hillary e dha të shtunën.
“Zoti Bush duhet ta paraqesë tablonë të plotë, duke përfshirë këtu edhe marrëveshjen, që George W. Bush bëri me qeverinë e Malikit në Irak, e cila vendoste fundin e 2011-s, si datën e tërheqjes së trupave amerikane. Tani nuk më mbetet gjë tjetër, veçse të pyes veten: ai nuk e dinte këtë gjë, apo thjesht mendoi se njerëzve nuk do t’iu kujtohej ç’ka ndodhur?”, u shpreh Hillary Clinton.
Në sytë e analistëve, sulmi i Bushit, më shumë sesa keq, Hillary Clintonit i ka bërë mirë. Që kur deklaroi në muajin prill se, do të jetë pjesë e garës për Shtëpinë e Bardhë, sfida më e madhe e saj ka qenë të gjenerojë entuziazëm në radhët e simpatizantëve të partisë së vet, për marshimin drejt nominimit demokrat.
Dhe, sa më shumë përplaset me republikanët, aq më shumë do të shtohen radhët e mbështetësve në kampin e saj, ndërsa lufta e fjalëve me Jeb Bushin, fare mirë mund t’i shërbejë për ta larguar nga polemikat mbi përdorimin e serverit privat të email-it për shkëmbime zyrtare, e për t’i bërë ballë ngjitjes së beftë në sondazhe të kandidatit demokrat nga Vermonti, Bernie Sanders.
Top Channel