Kryeministri Edi Rama, nga Dhërmiu ku është duke pushuar me familjen, nëpërmjet një interviste për një të përditëshme, ka shuar të gjitha “zhurmat” e kësaj vere për një furtunë të mundshme në shtator brenda koalicionit qeverisës.
“Ka jo pak njerëz sot në opozitë që e ëndërrojnë një furtunë të kësaj natyre. Por nuk mungojnë as njerëz brenda vetë koalicionit që e dëshirojnë diçka të tillë. Për arsye të ndryshme, por që emërues të përbashkët kanë përgjithësisht pakënaqësirat personale. Nuk ka asgjë të panatyrshme sidoqoftë, në këtë ëndërr të opozitarëve ose dëshirë të disa shokëve në partitë e ndryshme të koalicionit, përfshirë edhe PS apo LSI. Por ka një problem vështirësisht të kapërcyeshëm për ëndrrën a dëshirat e tyre. Ky është fakti se koalicioni ka funksionuar më së miri në funksion të reformave reale dhe ky është, në fund të fundit, elementi themelor që e bën të suksesshëm e të dobishëm për vendin koalicionin tonë. Çka do të thotë se furtuna e pritshme në këtë drejtim mund të ndodhë vetëm në gota të ndryshme”, ka deklaruar Rama.
Për marrëdhëniet PS-LSI Rama ka dhënë këtë koment:
“Unë nuk e di se çfarë mund të pritet më shumë nga një marrëdhënie partneriteti, e cila në zgjedhjet vendore riprodhoi mbështetjen e 1 milion votave të zgjedhjeve politike të dy viteve më parë. Ndërsa mes meje dhe bashkëkryetarit të koalicionit, marrëdhëniet reflektojnë të dyja anët e medaljes së bashkëjetesës në këtë koalicion. Nga njëra anë bindjen e përforcuar nga suksesi i zgjedhjeve vendore, se ky partneritet është strategjik jo vetëm për të dyja partitë tona por për Shqipërinë në radhë të parë. Kush ëndërron apo dëshiron furtunë mes PS-së dhe LSI-së, ose konkretisht, mes meje e Ilir Metës, duke e bërë çdo qime tra me forcën e dëshpëruar të pakënaqësisë vetjake, kam përshtypjen se do të duhet të presë më shumë se një shtator”, ka thënë Rama.
Të gjitha komentet për një koalicion të mundshëm PD-PS, Rama i ka quajtur “thashetheme të avullta” të kësaj vape të madhe, duke testuar përmes ndonjë gazete pulsin e llogores së gjatë të koalicionit.
“Është e pamendueshme, qoftë edhe për një moment të vetëm, që PS dhe PD të qeverisnin bashkë në këtë periudhë të historisë sonë. Çka unë përjashtoj kategorikisht është bashkëqeverisja, jo bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës. Nëse do të kishte vullnet nga opozita, konkretisht nga Partia Demokratike, për të bashkëpunuar me qeverinë për çështje që janë përtej llogoreve të patjetërsueshme partiake, unë kam qenë e jam gjithmonë gati”, ka nënvizuar Rama. Kryeministri ka hedhur poshtë të gjitha aludimet për rritje taksash. “Nëse duam më shumë para për arkën e shtetit, nuk duhet të rrisim taksat për shqiptarët që i paguajnë ato, po duhet të nxjerrim shkopin e ligjit për të shkundur thasët e atyre që nuk paguajnë fare dhe të atyre që nuk paguajnë atë që u takon! Dhe do ta bëjmë këtë me vullnetin e hekurt të një qeverie që ka treguar se e ka seriozisht ndërtimin e shtetit modern shqiptar”, ka shtuar Rama.
Top Channel