Thirrje kundër ksenofobisë. Gazetarja gjermane reagon ndaj komenteve për refugjatët

07/08/2015 00:00

Qëndrimi i mbajtur nga prezantuesja e lajmeve Anja Rashkesh gjatë edicionit informativ të mbrëmjes në një televizion gjerman, ka shkaktuar një debat të madh në vend, por edhe në rrjete sociale.

Thirrja e saj për një qëndrim publik kundër rritjes së sulmeve raciste ndaj refugjatëve është komentuar gjatë.

“Deri dje komentuesit fshiheshin pas emrave të rremë ose pseudonimeve për të shprehur qëndrimet e tyre raciste, ndërsa sot ndodh e kundërta. Mesa duket nuk është më e turpshme të bësh deklarata deri diku pasionante me përmbajtje urrejtjeje ndaj tyre. Madje, kur shkruan se refugjatët duhet të mbyten në det, me shumë gjasë merr aprovimin e të tjerëve dhe shumë pëlqime”, u shpreh Rashkesh.

Ajo tha se urrejtja ka nxitur rritjen e akteve të ekstremeve të djathta, duke bërë thirrje për ndryshim.

“Nëse ju nuk jeni të mendimit se të gjithë refugjatët janë parazitë që jetojnë në kurriz të të tjerëve, të cilët duhet të përndiqen, rrahur apo djegur, atëherë ju duhet të ngrini zërin, ta kundërshtoni me gojën tuaj, të mbani një qëndrim dhe të ndëshkoni publikisht ata që bëjnë të kundërtën”, vazhdoi Rashkesh.

Komenti prej vetëm dy minutash i prezantueses së lajmeve është shpërndarë në mënyrë të menjëhershme nëpër rrjete sociale, ka më shumë se 9 milionë klikime, 250 mijë pëlqime dhe 200 mijë komente, shumica dërrmuese e të cilave ishin pro fjalëve të Reshkesh.
 
Ankesa e saj publike erdhi vetëm një ditë pasi kreu i Shërbimit të Inteligjencës, Hans-Georg Maassen, paralajmëroi se një grup i vogël i ekstremistëve të krahut të djathtë ka rrezik që të përshkallëzojë një valë sulmesh kundër azilantëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA