Masakër në një universitet në SHBA, dy të vdekur dhe tetë të plagosur. Arratiset autori
Pavarësisht reagimeve të ashpra për sulmin jo fort dinjitoz ndaj senatorit republikan John McCain, Donald Trump duket se e ka rritur mbështetjen e tij mes republikanëve.
Në një anketë telefonike kombëtare të realizuar së fundmi, Trump mbështetet nga 18% e republikanëve, ndërsa ish-guvernatori i Floridës, Jeb Bush është i dyti me 15%, brenda marzhit të gabimit në votim.
Guvernatori i Uiskonsinit, Scott Walker ka një mbështetje prej 10% në mesin e republikanëve. Në këtë anketë, Donald Trump ka një rritje prej 6 pikësh nga anketa e muajit qershor, ndërsa mbështetja për Bush dhe Walker nuk ka pësuar ndonjë ndryshim të madh.
Ndërkohë, 14 kandidatët e tjerë republikanë janë nën 10%, për sa i përket mbështetjes nga partia në garën për të zgjedhur kandidatin për zgjedhjet presidenciale të 2016-s.
Edhe pse Trump aktualisht kryeson garën, të paktën sa i përket anketës së fundit, duket se avantazhi i tij nuk është se jep shumë siguri, pasi 51% e votuesve republikanë mendojnë se është ende herët për të përcaktuar kandidatin e republikanëve në zgjedhje. Në mesin e këtij grupi, Bush ka një mbështetje prej 14%, ndërsa Trump mbështetet nga 13% e tyre.
Rrebeshi i kritikave nga republikanët ndaj Donald Trump, të cilat duket se nuk kanë ndikuar në këtë sondazh, erdhi pas komenteve ofenduese të biznesmenit, i cili duket se po përpiqet të tërheqë sa më shumë vëmendjen me shpotitë e tij. Miliarderi tha se McCain, ish-pilot i forcave ajrore i mbajtur rob për 5 vjet në Vietnam, nuk ishte hero lufte.
Ndërsa në radhët e demokratëve, Hillary Clinton është favorite, ndonëse Sanders ka rritur mbështetjen e tij në sondazhin e fundit krahasuar me atë të muajit të kaluar. Gati 56% e votuesve demokratë mbështesin Clinton, ndërsa përkrahja për Sanders nuk shkon më shumë se 19%, pjesa tjetër janë ende të pavendosur.
Sondazhi është kryer nga CNN/ORC International mes 22 dhe 25 korrikut dhe në të morën pjesë 1.017 të rritur, duke përfshirë 898 votues të regjistruar. Marzhi i gabimit në këtë sondazh është plus-minus 3.5%.
Top Channel