
Qershori i sivjetshëm ishte më i nxehti në histori sipas ekspertëve, dhe të paktën nga sa shihet deri tani, 2015-ta vetë duket i destinuar të zërë vendin e 2014-tës, si viti më i ngrohtë i të gjitha kohërave.
Nga përllogaritjet e Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike në Shtetet e Bashkuara, NOAA, rezulton se temperatura mesatare e globit muajin e kaluar mbërriti në 16,33 gradë celsius, duke thyer rekordin prej 12 gradësh të vitit parardhës. Në arsyetimin e ekspertes së klimës, Jessica Blunden, e cila punon për këtë organizëm, panorama e përgjithshme është akoma më dramatike kur diskutohet për të gjithë vitin në tërësi.
6 muajt e parë të 2015-tës ishin një të gjashtën e gradës më të ngrohtë sesa rekordi i vendosur përpara 5 vjetësh, kur mesatarja ishte 14,35 grade celsius. Gjysma e parë e 2010-tës do të shënonte dhe të fundit herë që El Nino, fenomeni klimatik i cili ngroh ujërat e Paqësorit, ndryshoi ndjeshëm kushtet atmosferike në mbarë botën.
Pas kësaj, dukuria ciklike u dobësua, por parashikimet janë që këtë vit të rikthehet edhe më i fortë se më parë. Nëse ndodh vërtetë një gjë e tillë, atëherë shifrat në tabelat e regjistrimeve do të ndryshojnë që të gjitha, profetizon Blunden.
Qershori ka qënë i ngrohtë në të gjithë planetin, megjithatë një vapë më e madhe se zakonisht u regjistrua në Spanje, Austri, disa pjesë të Azisë, Australi dhe në Ameriken e Jugut. Disa rajone të Pakistanit përjetuan një të nxehtë përvëlues që mori mbi 1.200 jetë njerëzish e që sipas bazës ndërkombëtare të të dhënave, ishte i teti më vdekjeprurës në botë që prej viteve 1900. Përpara tij, në muajin maj ishte India që kaloi një situatë të ngjashme prej një vale vrastare të nxehti nga e cila humbën jetën mbi 2.000 vetë.
Top Channel