SHBA, 4 të vrarë në ndërtesën e marinës. Një person i lidhur me ISIS kishte paralajmëruar sulmin

17/07/2015 00:00

Një vrasje e katërfishtë në një bazë ushtarake në Tenesi ka tronditur Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atentatori është identifikuar si Muhamed Jusuf Abdulazez, 24-vjeç, me origjinë nga Kuvajti, ndërsa autoritetet po hetojnë pistën e terrorizmit.

Ai jetonte disa kilometra larg ndërtesës së marinës në Hikson Tenesi, ndërsa viktimat janë pjesë e personelit të kësaj marine.

Edhe autori gjeti vdekjen teksa shkëmbente zjarr me forcat policore. Dëshmitarët e përshkruan si një skenë dhune të frikshme ku dëgjoheshin të shtëna, si një breshëri që nuk dihej se kur do e kishin fundin.

Këtë e kanë konfirmuar edhe autoritetet amerikane.

“Ajo që dimë është se katër persona kanë humbur jetën si pasojë e të shtënave, pjesë e të cilëve është edhe atentatori i këtij krimi. Gjithashtu një polic është plagosur rëndë dhe po merr trajtimin e duhur në spital. Nga kjo ngjarje e rëndë ka pasur edhe persona të tjerë të plagosur”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Çatanogas, Andy Berke.

“Një individ i armatosur brutalisht i mori jetën atyre që ishin pjesë e Forcave të Armatosura të vendit, por ajo që ne bëmë ishte ndërhyrja, duke u munduar deri diku të kufizonim numrin e viktimave që mund të kishte sjellë ky shkëmbim zjarri i fuqishëm”, deklaroi kryetari i Forcave të Armatosura të Çatangoas, Daiyla Qualls.

Prokurori i SHBA-ve, Bill Killian u tha gazetarëve se autoritetet po hetojnë ngjarjen si një “akt terrorizmi të brendshëm”, ndërkohë që mediat amerikane flasin për një lidhje të krimit me ISIS, pasi pak para se te ndodhte atentati, një militant i kalifatit kishte postuar në Twitter një status ku paralajmëronte Amerikën, saktësisht zonën e Tenesi, për një sulm që i priste.

Ne fakt, profili në rrjetin social, flet qartë se i përket një militanti që kërkon të përhapë frymën e xhihadit, por hetimet e mëtejshme pritet që të zbardhin me shumë detaje nga ky sulm.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse ky është një akt terrorizmi i brendshëm, apo i lidhur me grupet ekstremiste ndërkombëtare. Baza ishte sulmuar edhe më herët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA