Si të shmangim problemet kardiake? Mjekët: Sa më shumë ecje

04/07/2015 00:00

Shqiptarët kanë ndryshuar stilin e jetesës duke ndikuar direkt në rritjen e problemeve shëndetësore, e sidomos në sëmundjet koronare.

Shefi i Shërbimit të Kardiologjisë, prof. Artan Goda thekson se shifrat e personave që kanë probleme koronare janë rritur, madje edhe tek moshat e reja. Goda thekson nga ana tjetër dhe rritjen e cilësisë së shërbimit përmes ndërhyrjeve që bëhen në enët koronare, si në shërbimin publik, ashtu dhe në atë jopublik.

“Për fat të keq këto shifra janë mjaft të larta dhe prekin edhe mosha më të reja se dikur. Lufta për të mundur këto sëmundje është një betejë që duhet fituar dhe kjo realizohet përmes ndërhyrjeve koronare që duhet të bëhen në kohë. Vitin e kaluar në Shqipëri janë realizuar rreth 8 mijë procedura ndërhyrëse koronare. Këtë vit, në bazë të shifrave të deritanishme, parashikohet një rritje prej 30 për qind”, thotë profesor Goda.

Profesor Goda thekson se shqiptarët duhet të lëvizin me pak me automjete dhe të përmirësojnë mënyrën e të ushqyerit.

“Është rritur stresi, ushqimi i keq nga pikëpamja shëndetësore, jo nga ajo e shijes, dhe lëvizim më pak. Shqiptarët duhet të kuptojnë që duhet të ushqehen në mënyrë të shëndetshme, të lëvizin më shumë pa rrota dhe të drejtohen në kohë për zgjidhjen e problemeve koronare, sepse zemra është organ i thjeshtë. Kur arrin në kohë mund të zgjidhësh gjithçka, po e humbe këtë kohë mund të humbësh gjithçka”, shton ai.

Në një konferencë për problemet koronare janë prezantuar para mjekëve kardiologë metodat dhe teknikat e reja që zgjidhin këto probleme tek pacientët. Shërbimi i kardiologjisë në QSUT do të mundësohet 24 orë dhe jo 12 orë sikurse ofrohet tani.

Në Tiranë dhe Shkodër janë duke përfunduar dy qendra të reja për ofrimin e shërbimit të kardiologjisë, të cilat do të ndikojnë në rritjen e cilësisë së këtij shërbimi.

Top Channel