Tentuan të korruptojnë policinë për të shmangur ndëshkimin, në pranga dy shtetas Dy vëllezërit Arbion dhe Alban Aliko do të qëndrojnë në paraburgim. Atyre iu komunikua këtë të mërkurë në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë masa e sigurisë “arrest me burg”, si të dyshuarit kryesorë për vrasjen e efektivit Ibrahim Basha dhe për vrasjen e mbetur në tentativë të 5 punonjësve të tjerë të Policisë së Shtetit.
Seanca u zhvillua edhe me praninë e një psikologeje, e cila asistoi Alban Alikon, i cili ende nuk ka mbushur 18 vjeç. Asnjëri nga dy vëllezërit nuk foli gjatë seancës ndërkohë që prokurori shpjegonte se çfarë ndodhi në Lazarat të mërkurën e kaluar, ngjarje për të cilën organi i akuzës dyshon se ishte organizuar nga tre grupe, njëri prej të cilëve qëlloi në drejtim të automjetit ku ndodhej efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha.
Por ndërsa dy vëllezërit dyshohen për vrasje, avokati i tyre, Neshat Fana i mbron duke mohuar versionin e prokurorisë. “Jam i bindur që dëshmitë e tyre janë pjesërisht të stisura për të vënë gishtin tek Alikot. Unë jam i bindur se hetimet do të tregojnë një tjetër histori, të cilën do ta tregojë prokuroria”, tha avokat Neshat Fana, duke iu përgjigjur interesit të mediave.
Por nga ana tjetër, Prokuroria e Krimeve të Rënda këmbëngul se, përveç armëve që janë dërguar për ekspertim në laboratorin e kriminalistikës, ka kundër dy vëllezërve edhe dëshmitë e të pandehurve të tjerë, Klodian Skënderi dhe Xhuliano Malo.
“Nuk janë autorë të vrasjes. Nuk e vërteton dot prokuroria dhe nuk e ka vërtetuar deri tani. Të dyshuar për këtë vrasje janë me dhjetëra”, shtoi avokat Fana.
Nën masën “arrest me burg” u vendosën edhe dy vëllezërit Serxho dhe David Shehu, që dyshohen për përkrahje ndaj vëllezërve Aliko, duke qenë se i ndihmuan ata gjatë arratisë disaditore me ushqime dhe veshje.
Top Channel