Operacioni në Lazarat, Prokuroria: “Grupi i zjarrit” kërkonte të rikthente hashashin

27/06/2015 00:00

Dita e tretë e kontrolleve në Lazarat ka vazhduar pothuajse me të njëjtin ritëm. Megjithatë gjatë së premtes nuk ka pasur persona të arrestuar, listës së gjatë të personave të shpallur në kërkim pas ekzekutimit të oficerit të RENEA-s i mungojnë vetëm 3 persona, dy prej të cilëve akuzohen si ekzekutorë të drejtpërdrejtë të Ibrahim Bashës.

Gjatë kontrolleve të banesave të premten, policia gjeti një armë krimi. Policia beson se me këtë armë është qëlluar ditën e ekzekutimit të oficerit të RENEA-s dhe ajo i është dërguar Laboratorit Kriminalistik. Megjithatë, ende nuk dihet nëse është kjo arma e krimit apo është një armë që ka kryer qitje ditën e vrasjes së oficerit.

Përsa i përket hetimit, prokurorët kanë ndërtuar ngjarjen, ku flitet për një grumbullim të armatosur të disa personave. Nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka marrë përsipër hetimin, bëhet e ditur se prej 6 muajsh, disa nga ish-trafikantët e lëndëve narkotike kishin vendosur të rikthenin sërish mbjelljen dhe kultivimin e lëndës narkotike në këtë fshat. Ata kanë filluar armatosjen e tyre, duke krijuar një grup për ta rikthyer Lazaratin në gjendjen e mëparshme.

Disa nga të arrestuarit dhe të shoqëruarit janë zbërthyer në polici, duke pranuar se kanë qenë pjesë e këtij grupi të armatosur, por atë ditë nuk kanë kryer qitje. Gjithçka u është lënë dy vëllezërve Aliko, të cilët janë në kërkim nga policia.

Tashmë rrethimi i Lazaratit sa po vjen dhe po ngushtohet. Policia ka marrë të dhëna brenda informatorëve të saj në fshat dhe duket se kapja e dy vëllezërve është çështje orësh.

Policia ka të dhëna të besueshme që ata nuk janë larguar nga fshati dhe, për këtë arsye, të gjitha hyrje-daljet nga fshati mbahen të gjitha të rrethuara. Policia ka marrë urdhër se vetëm pas arrestimit të vëllezërve Aliko do të përfundojë edhe rrethimi i fshatit.

Top Channel