Arratisja 4-ditore e dy vëllezërve Aliko ka marrë fund në orët e mbrëmjes së të shtunës. Pas një negociimi me telefon nëpërmjet babait të tyre, Arbion dhe Alban Aliko janë vetëdorëzuar në polici, ndërsa të pranishëm kanë qenë edhe prindërit e tyre, thonë burimet. Dorëzimi i tyre ndodhi në fshatin Kardhiq, disa kilometra larg Lazaratit.
Gjatë të shtunës, RENEA kishte krehur zonën pranë Fushë Bardhës, pas informacioneve se dy vëllezërit ia kishin dalë mbanë të çanin rrethimin policor dhe se, gjatë arratisjes, ishin fshehur për orë të tëra duke shfrytëzuar pyllin dhe shkurret.
Dy vëllezërit Aliko deklarohen si dy organizatorët kryesorë të sulmit me armë zjarri kundër Policisë së Shtetit, ku dhe mbeti i vrarë efektivi i repartit RENEA, Ibrahim Basha. Ndërkohë, burime zyrtare të Top Channel pohuan se, aktualisht janë në kërkim edhe dy persona të tjerë për këtë ngjarje; ata janë Bajram Boçi dhe Anri Hiri, çka do të thotë se në fshatin Lazarat do të vijohet të ketë kontrolle për të lokalizuar vendndodhjen e të kërkuarve.
Për sulmin me armë, policia ka ndaluar me urdhër të Prokurorisë edhe Elson Kazmën, Klodian Selimin, Elvis Boçin dhe Dervish Gaba, që priten të akuzohen për pjesëmarrje në sulmin e armatosur ditën e mërkurë në Lazarat.
Që prej së mërkurës, kur u vra Ibrahim Basha dhe u plagosën dy kolegët e tij, rreth 400 forca speciale, të FNSH-së dhe policisë lokale, po vijojnë një operacion të gjerë për kapjen e të gjithë të dyshuarve.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili në një postim në rrjetin social Facebook shprehet se, ata që ngritën dorë ndaj Ibrahim Bashës u arrestuan për t’u vënë para drejtësisë. “Kolegët e tu kryen punë Ibrahim. – thotë Tahiri, – Më në fund drejtësi për ty Ibrahim, për vetë banorët e Lazaratit dhe për qytetarët e ndershëm”.
Top Channel