Eurozona mirëpret propozimet greke: Bazë e qëndrueshme për negociata, por duhet punë

22/06/2015 00:00

Ministrat e Financave të Eurozonës kanë mirëpritur propozimet e reja të Greqisë për një marrëveshje të mundshme parà në këmbim të reformave, këtë të hënë, por thanë se atyre u nevojitet një studim i detajuar e për këtë do t’u duhen disa ditë për të përcaktuar nëse mund të nënshkruajnë një marrëveshje apo jo, për të shmangur falimentin e Greqisë.

Jeroen Dijsselbloem, kreu i Eurogrupit prej 19 kombesh, tha gjatë një konference për shtyp se “do të punojmë shumë përgjatë ditëve të ardhshme, por edhe me institucionet e qeverisë greke, për të arritur kështu një marrëveshje brenda kësaj jave”.

Ministrat ranë dakord të rimblidheshin gjatë fundjavës së kaluar, pasi Greqia hodhi poshtë detajet e huadhënësve ndërkombëtarë të saj; Komisionit Europian, Bankës Qendrore Europiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Dijsselbloem e përshkroi dokumentin grek si gjithëpërfshirës dhe “një bazë e pranueshme për të rinisur bisedimet”, por tha se mbetet ende për t’u parë nëse detajet e hedhura së fundi do të sigurojnë qëndrueshmërinë e financave publike të Athinës në të ardhmen.

Krerët e shteteve dhe qeverive të Eurozonës kanë zhvilluar një samit emergjent mbi krizën e borxhit grek gjatë pasdites së të hënës, por zyrtarët e kishin bërë të qartë paraprakisht se nuk do të negocionin mbi detajet e programit, por thjesht do të binin dakord për një udhërrëfyes sesi do të shkohet deri te marrëveshja. Ata hodhën poshtë thashethemet e medieve gjermane, që samiti ishte anuluar.

I pyetur në lidhje me vlerësimet e tij personale ndaj propozimeve greke, siç deklaroi nga Brukseli gjatë orëve të para të së hënës, Komisioneri i BE-së për Çështjet Ekonomike, Pierre Moscovici, tha se “është një bazë solide, të paktën me parime globale për negociata, por duhet bërë ende punë”.

Athina duhet të paguajë 1,6 miliardë euro ndaj FMN-së deri më 30 qershor, përndryshe rrezikon falimentin, gjë që do ta detyronte vendin të dilte jashtë Eurozonës, ndoshta edhe nga BE, pasi në vend do të vendosej kontrolli ndaj kapitalit vendas për të frenuar “rrjedhjet” bankare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA