Pas mbylljes së fushatës elektorale në të gjithë Shqipërinë, kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet vendosi të kalojë ditën e fundit, përpara heshtjes zgjedhore, në dy aktivitete të ndryshme në kryeqytet.
Ai mori pjesë fillimisht në “Kupën Çamëria”, e organizuar për herë të parë nga Shoqata “Çamëria”, me pjesëmarrjen e ekipeve “Tirana B” dhe “Valbona”, si dhe të ekipit të sapoformuar “Çamëria”, që nga viti i ardhshëm do të luajë në Kategorinë e Tretë.
Kupa “Çamëria” u fitua nga ekipi me të njëjtin emër, i cili mundi në finale ekipin “Tirana B”. Medaljet dhe kupën për fituesit, por dhe ekipin që zuri vendin e dytë, i ndau kreu i PDIU-së, i cili gjatë fjalës së tij nxiti të rinjtë të merren me sport dhe veçanërisht me futboll.
Pas këtij aktiviteti, Idrizi vizitoi tregun çam në qendër të kryeqytetit, ku u takua me bizneset e vendosura atje, por edhe me kalimtarë të rastit. Gjatë bashkëbisedimeve, sipërmarrësit e tregut çam shprehën shqetësimin, për gjendjen në të cilin ndodhet ky treg, një treg simbol i kapitalizmit në Shqipëri, duke qenë tregu i parë i çelur në vend pikërisht nga familje të ardhura nga Çamëria.
Idrizi dha mbështetjen e PDIU-së për modernizimin e tregut çam, nëpërmjet punës së këshilltarëve të PDIU-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe ftoi të gjithë të mbështesin PDIU-në, duke votuar nr. 34, më 21 qershor.
Top Channel