”Top Show”, përtej të majtës e të djathtës. Kandidatët alternativë për Tiranën

10/06/2015 00:00

Në ndryshim nga emisionet e shkuara, këtë të martë në “Top Show” ishin të ftuar tre kandidatët për bashkinë e Tiranës, të cilët nuk garojnë në siglën e partive të mëdha.

Cilët janë kandidatët alternativë për Tiranën? Cili është programi i gjithsecilit prej tyre? Cilat janë hapësirat dhe shanset reale për të fituar? Këto janë disa nga pyetjet të cilave u dha përgjigje në emisionin e drejtuar nga Alban Dudushi.

Tre kandidatët për Bashkinë e Tiranës, Gjergj Bojaxhi, Arben Tafaj dhe Sazan Guri, ishin përballë analistëve, Skënder Minxhozi, Arjan Vasjar dhe Alfred Lela. Pjesa e parë e emisionit iu kushtua Gjergj Bojaxhi.

Zoti Bojaxhi u pyet në fillim për pikat e forta të platformës së tij. Ai u shpreh se Bashkisë së Tiranës i ka munguar miradministrimi dhe kjo do të jetë një ndër pikat kryesore për një bashki të suksesshme.

“Sigurisht që Tirana mund të jetë një qytet shumë herë më i mirë pa korrupsion. Miradministrimi është një ndër pikat e mia të forta, pasi deri tani bashkia është përdorur për të vjedhur dhe për të bërë karrierë”.

Bojaxhi tha se deri tani financimet e fushatës së tij janë bërë publike, por e njëjta gjë nuk po ndodh me rivalët e tij.

“Ne fushatën po e bëjmë transparente. Deri tani kemi mbledhur 4.8 milionë lekë të reja dhe kjo do të jetë fushata më modeste e bërë ndonjëherë. Ne i kemi kërkuar edhe kandidatëve të partive të mëdha për të bërë publike financimet nga kanë ardhur, por deri tani nuk ka pasur asnjë reagim”, tha Bojaxhi.

Drejtuesi i emisionit, Alban Dudushi i tha zotit Bojaxhi se deri tani më shumë ka pasur denoncime nga ana e tij. Ndërkohë kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës tha se kjo ka ardhur pasi ka pasur abuzime mjaft të mëdha në territorin e bashkisë aktuale.

“Do të bëjmë edhe denoncime, pasi në këtë qytet ka pasur abuzime të mëdha. Shumë parcela i janë shkëputur Parkut të Tiranës dhe nuk ka pasur asnjë reagim nga kandidatët nëse do ja kthejnë Tiranës këto parcela. Veliaj në mënyrë të veçantë duhet të mbajë një qëndrim të qartë”, u shpreh Bojaxhi.

Më pas fjalën e mori Alfred Lela, i cili citoi zotin Bojaxhi se Tirana është keqqeverisur në këto 25 vite. Ai e pyeti zotin Bojaxhi nëse ndihej, duke qenë se ka qenë në segmente të qeverisjes së mëparshme. Bojaxhi u përgjigj duke thënë se qëndrimet e tij kur ka qenë në Këshillin Bashkiak kanë qenë gjithmonë të qarta ndaj abuzimeve.

“Unë kam qenë anëtar i Këshillit Bashkiak, por jam i vetmi që kam dalë në 2008 duke shprehur qëndrimin tim për atë leje anash dikës së liqenit. Unë kam mbajtur një qëndrim të qartë ndaj këtyre abuzimeve. Kam punuar me integritet për interesin publik”, tha ai.

Skënder Minxhozi përgëzoi zotin Bojaxhi për daljen në këto zgjedhje si kandidat i pavarur, pa siglën e asnjë partie politike.

Më pas ai ngriti një pyetje ndaj kandidatit të pavarur për Tiranën. “Një njeri që sheh fushatën e Bojaxhi thotë, është djalë i mirë, por nuk ka parti nga pas, këshillin do e ketë kundër, armik i hershëm me dy palët. Si mendon të përballesh deri në ditën e fundit të zgjedhje me këtë masë të madhe pesimistësh që thonë jemi simpatizantë, por jo votues të tij?”.

Bojaxhi foli për 14 mijë firmat e mbledhura, të cilat i siguruan atij të drejtën për të garuan si i pavarura në zgjedhjet e 21 Qershorit, duke thënë se kjo ishte një mbështetje e qartë ndaj tij.

“Kemi marrë mbështetje të hapur nga qytetarët. Ne arritën të marrim rreth 14 mijë firma për të kandiduar. Ndërsa tashmë duhet të tregojmë se kjo klasë politike nuk mund të pranohet më”, tha Bojaxhi.

Minxhozi: Ju i lexoni si vota proteste këta 14 mijë votues, apo si vota besimi për të qeverisur?

Bojaxhi: Unë jam i bindur se një pjesë e qytetarëve na besojnë ne për t’i qeverisur. Një pjesë e madhe do e japin votën në formë proteste. Ka shumë arsye për ta dhënë votën e tyre për kandidatin e pavarur. Për të justifikuar dështimet, Basha e hodhi tezën se pa qeverinë qendrore nuk mund të punohet. Kjo tezë i pëlqeu edhe Kryeministrit, i cili po e përdor. Rreth 80 për qind e buxhetin rrjedh nga Bashkia e Tiranës, e cila nuk ka pasur problemin e të ardhurave. Por ka rreth 6 apo 7 vjet që shpenzohet vetëm rreth 70 për qind e buxhetit të bashkisë, për disa arsye. Problemi kryesor i Tiranës është shkatërrimi dhe abuzimi me pronën private. Gjithë këto vite ka pasur një bashkëpunim të vazhdueshëm nga drejtuesit e qeverisë me drejtuesit e bashkisë, deri sa qyteti ka shkuar në këtë gjendje.

Vasjari tha se mbledhja e 14 mijë firmave nga një kandidat i pavarur do të thotë se diçka ndodh në realitetin shqiptar. Më pas ai shtoi se nëse do e lëmë fajin në numrin shumës nuk zgjidhim gjë dhe për këtë arsye fushata e Bojaxhi duhet të jetë politike.

“Ai duhet të shfaqë ideologjinë e tij politike. Tirana ka nevojë për një politikan, ky mund të jetë edhe Bojaxhi”, tha Vasjari, ndërsa kërkoi një mendim nga Bojaxhi për dy kandidatët e mëparshëm të bashkisë, Rama dhe Basha.

Zoti Bojaxhi u shpreh se deri tani akuzat e tij kanë qenë të drejtpërdrejta, duke bërë publik edhe emra.

“Për mua është shumë e qartë, Edi Rama e zhvilloi Tiranën me projekte të vogla klienteliste. Basha e kamufloi më bukur, pasi thotë se lejet i dha sipas planit të miratuar. Këta dy kryetar kanë përdorur modele të ndryshme në dëm të qytetarëve. Problemi nuk është teknik. Shkaku është korrupsioni, pasi kandidatët janë të emëruar, harxhojnë me miliona për fushatën dhe nuk i deklarojnë se nga vijnë ato. Nëse dikush është hajdut nuk është e rëndësishme nëse është i kuq apo blu”, tha Bojaxhi.

Vasjari ngulmoi dhe pyeti sërish nëse projekti i Bojaxhi i afrohet më shumë se djathtës apo së majtës.

Megjithatë, Bojaxhi u shpreh se miradministrimi i bashkisë do të jetë mënyrë e tij e qeverisjes, për të cilën deri tani nuk ka folur asnjë nga kandidatët.

“Nuk kam parë kurrë që të shkohet në Këshillin Bashkiak me ndonjë teze politike. Ne kimi një bashki e cila arrin të mbledh më pak se gjysmën e taksës së pronës së paluajtshme, pasi nuk është e aftë. Vitet e fundit drejtuesit e bashkisë kanë qenë të paaftë të shpenzojnë buxhetin e bashkisë”, tha ai.

Në fund të pjesës së parë të emisionit, e cila u dedikua e gjitha kandidatit të pavarur për Bashkinë e Tiranës, Gjergj Bojaxhi, ai dha një mesazh për qytetarët: Ka ardhur koha që të ndëshkojmë këtë kast politike dhe të bëjmë ndryshimin që duhet jo vetëm për Tiranën, por për të gjithë Shqipërinë.

Në pjesën e dytë në studio u bashkua kandidati i Partisë Lëvizja Demokratike për Vlera, Mirëqenie dhe Progres, Arben Tafaj.

Pyetjes se pse u shkëput nga Partia Demokratike, ndërkohë që për 12 vite ka qenë edhe kryetar i minibashkisë 8, Tafaj u përgjigj duke thënë se ka qenë një propozim i shoqatës “Tirana”, por gjithmonë është mbështetur nga e djathta.

Më pas ai u pyet nëse besonte më shumë te vota e tiranasve apo e tironsve. Zoti Tafaj u shpreh se nuk i ka parë votuesit të ndarë në këtë drejtim dhe se synon votat e të gjithëve, pavarësisht nëse janë të ardhur në Tiranë apo autokton.

“Kam fituar në 3 mandate duke e rritur avantazhin tim. Në 2011 kam qenë mbi kandidatët e të gjitha njësive bashkiake. Unë jam votuar njësoj si në zonat autoktone ashtu edhe në zonat informale, madje kam qenë fitues edhe në disa zona të majta”, tha kryetari i Partisë Lëvizja Demokratike për Vlera, Mirëqenie dhe Progres, Arben Tafaj

Për sa i përket pikave kryesore të platformës së tij, Tafaj u përgjigj: Pika kryesore është zhvillimi i integruar dhe i qëndrueshëm i Tiranës, pasi gjatë këtyre viteve kryeqyteti është rritur 5 herë, ndërsa zhvillimi ka qenë i njëjtë.

Alfred Lela e pyeti zotin Tafaj se çfarë do të ndodh me votat e marra nga ai pas datës 22 qershor. Ai tha se nëse nuk do të arrijë të fitojë, partia e tij do të marrë pjesë në Këshillin Bashkiak, ku do të mbrojë tezat e paraqitura.

“Nëse në 22 qershor unë marr votëbesimin do t’u kthehem premtimeve të mia. Unë vij pa asnjë kosto elektorale. Unë kam premtuar atë që bëj dhe kam bërë atë që mundem. Nëse unë nuk do të fitojë, alternativa e LDVMP do të jetë prezente në Këshillin Bashkiak të Tiranës”, tha Tafaj. 

Kreu i Partisë Lëvizja Demokratike për Vlera, Mirëqenie dhe Progres tha më pas se kandidimi i tij më shumë se sa e dëmton të djathtën e ndihmon atë. Ai shtoi se nëse zoti Basha do të rikandidonte, atëherë ai nuk do ta shpallte kandidaturën për kryetar bashkie. “Por kjo është më shumë një llogari e tyre. Ndërsa panorama politike është e qartë”, shtoi Tafaj.

Skënder Minxhozi i cilësoi si dy gabime të mëdha të PD-së, Tafajn dhe zotin Bojaxhi. “Basha kishte si detyrë të mos e çonte Kosovën të coptuar në këto zgjedhje”, tha ai.

Ambientalisti i flaktë dhe aktivisti i palodhur i shoqërisë civile, Sazan Guri, ishte kandidati i radhës që u bashkua në studio në pjesën e tretë. Ai kandidon për Bashkinë e Tiranës nën siglën e Aleancës Ekologjike Europiane, e cila ka dalë e vetme në zgjedhjet e 21 Qershorit. Slogani i fushatës është “Tirana e shpresës”.

Sazan Guri shpjegoi fillimisht programin e tij, i cili është quajtur “Kushtetuta e bashkisë”. Ai tha se programi i tij është i ndërtuar me një filozofi gjermane.

“Pas bashkimit të Gjermanisë nuk u lejuan të ndërtoheshin godina shumë katëshe edhe në rastet kur godina ishte deri në 4 kate bëhej një pyll më pemë më të larta se sa vetë godina. Edhe nëse ne nuk fitojmë, e rëndësishme është që ka fituar programi i kësaj kauze, i cili ka të bëjë me kthimin e shpresës tek qytetarët e Tiranës, me një qytet të madh dhe jo një fshat të urbanizuar. Ne kemi 101 pika si referuese”, tha zoti Guri.

Më pas ai u pyet se si do të realizohen të gjitha premtimet e bëra nga ai. Kandidati i  Aleancës Ekologjike Europiane për Bashkinë e Tiranës u shpreh se kjo nuk është një ëndërr, pasi për të është bërë një punë 12 vjeçare.

“Ne kemi kauzën e fituar, pasi kudo flitet për çështje që ne i kemi diskutuar 13 vjet më parë. Për ne kjo është fitorja e parë”, tha Sazan Guri.

“Ajo që ju thoni do të ndodh, por do të jetë tepër vonë dhe ne ndoshta ne nuk do të jemi më”, tha Lela, duke iu referuar premtimeve të zotit Guri. Ndërkohë, Minxhozi u shpreh se prania në gara e kandidatëve si zoti Guri është gjithmonë e shëndetshme.

“Na kujton disa emergjenca për të cilat ne flasim gjatë gjithë ditës, por që votojmë për njerëz që nuk i mbartin me vete këto emergjenca. Votojmë për projekte të mëdha, parti të mëdha, sigla të mëdha, të cilat fatkeqësisht nuk flasin për një çështje urgjente siç është ambienti në Shqipëri”, tha Minxhozi.

“Zoti Guri flet për Shqipërinë fantastike, por të pamundur. Unë do ta quaja Sazani në botën e çudirave”, tha Vasjari duke iu referuar “Kushtetutës bashkiake”, të kandidatit të Aleancës Ekologjike Europiane. Ai shton se zoti Guri ja ka arritur qëllimit të tij, duke ja imponuat si të majtës dhe të djathtës të flasin për çështje të mjedisit, ndërkohë që ka qenë e pakonceptueshme që për këto çështje të flitej vite më parë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA