Deputeti i PD, Gent Strazimiri ka reaguar pas pushimit të çështjes ndaj deputetëve socialistë, Pjerin Ndreu e Arben Ndoka, nga Gjykata e Lartë.
Me anë të një statuesi në “Facebook”, ai shprehet se ky ishte një vendim mëse i pritshëm nga ana e tij, ndërsa e cilëson atë si ‘një fyerje për intelektin dhe sensin e drejtësisë së shoqërisë shqiptare’.
Ai shkruan se ‘Gjykata e Lartë ka qenë thjesht “sporteli i shpërndarjes” së këtij vendimi, pasi kaligrafi është i Edi Ramës’!
“Vendime të padrejta gjykatash ka dhe do të ketë gjithmonë, por specifika ndjellakeqe e këtij të sotmit, është se e ka emetuar qeveria”, shkruan Strazimiri.
Deklarata e plotë e deputetit Strazimiri
“Të nderuar miq të majtë e të djathtë që sot gjatë gjithë ditës më keni kontaktuar me telefonata, sms, “Viber”, “Whatsapp”, “Facebook” etj, ju falënderoj me mirënjohje për mbështetjen dhe solidaritetin.
Gjykata e Lartë nuk i zhgënjeu aspak pritshmëritë e mia!
Jam krejt dakord me secilin prej jush që e cilësoni vendimin e sotëm “një fyerje për intelektin dhe sensin e drejtësisë të shoqërisë shqiptare”, e që për më tepër këtë e bën “me arrogancë të neveritshme, haptazi dhe përkundër arsyes dhe shqisave të secilit prej individëve të kësaj shoqërie, pavarësisht nivelit arsimor, bindjes politike apo statusit social”, në “disrespekt ndaj ligjit dhe institucioneve sikur të ishte nxjerrë nga një bandë”!
Të gjithë këta elementë dëshmojnë se Gjykata e Lartë ka qenë thjesht “sporteli i shpërndarjes” së këtij vendimi, pasi kaligrafia, siç e prisja, është e Edi Ramës!
Jam krejtësisht kundër secilit prej jush miq të mi, që më shkruani se “ky vend nuk bëhet më”, “se gjithçka ka marrë fund”, se “duhet ikur një orë e më parë”….pasi fajin nuk na e ka aspak Atdheu!
Atdheun, bandës së tutorëve të prostitutave, policëve të korruptuar, trafikantëve të drogës e vrasësve, si dhe maskarenjve që u hapen dyert e politikës, ia dorëzuam NE këtu e 2 vjet më parë në këmbim të 20 mijë lekëve të vjetra, e bashkë me të edhe shpresën për një jetë me dinjitet dhe me një drejtësi qoftë dhe relative!
Miq të shtrenjtë që sot përpiqeni të më gjindeni pranë sikur të më ketë rënë ndonjë hall:
“Halli” nuk është i imi por i të gjithëve ne, pikërisht sepse po na e bëjnë të pajetueshëm Atdheun duke përbuzur çdo shqisë e liri tonën, të të gjithëve pa përjashtim, duke na nxjerrë kësisoj jashtë shinave të demokracisë!
Vendime të padrejta gjykatash ka dhe do të ketë gjithmonë, por specifika ndjellakeqe e këtij të sotmit, është se e ka emetuar qeveria…
Momenti zyrtar i vendosjes së një diktature nuk është ai kur qeveria shkel të drejtat e individit të parë, as kur vret padrejtësisht individin e parë… Momenti zyrtar i vendosjes së një diktature, është momenti kur qeveria nxjerr vetë një vendim gjykate!
Këtë hall të përbashkët miq, e zgjidhim vetëm duke përdorur siç duhet armën e parafundit që njeriu i lirë ka në dispozicion për të ruajtur lirinë e tij: VOTËN!
Atë ditë, “Gjykata e Lartë” do të jemi NE dhe jo mëkatarët e pianjosët e vegjël që nuk ka post që i lartëson!”, përfundon reagimi i zotit Strazimiri.
Top Channel