
Instituti i Statistikave raportoi se papunësia u ul me 0.7 për qind në tremujorin e parë të vitit. Sipas INSTAT, nga 18 për qind që ishte në fund të vitit të kaluar, në tremujorin e parë të këtij viti shkalla e papunësisë zbriti në 17.3 për qind.
Të dhënat historike tregojnë se papunësia në Shqipëri arriti kulmin në tremujorin e parë të vitit të kaluar, kur shifra u ngjit në 18.6 për qind.
Por, në harkun e një viti, INSTAT thotë se janë hapur 103 mijë vende të reja pune në ekonomi, çka ka bërë që papunësia të zbresë në 17.3 për qind.
Sipas Institutit, kjo rritje e punësimit ka qenë më e theksuar në sektorët e ndërtimit, me 21.7%; në bujqësi, me 9.9 për qind; dhe në industrinë përpunuese, ku numri i të punësuarve është rritur me 11% krahasuar me vjet.
Ndërkohë, me bilanc negativ është sektori i energjisë dhe industrisë nxjerrëse, ku punësimi u ul me 3.4%.
Aktualisht në Shqipëri ka rreth 1 milionë e 40 mijë individë të punësuar, pjesa më e madhe e të cilëve, ose mbi 41 për qind, punojnë në sektorin e bujqësisë.
Top Channel