Greqia shtyn shlyerjen e këstit të 5 qershorit. Detyrimi ndaj FMN-së paguhet më 30 qershor

04/06/2015 00:00

Kriza e borxhit që ka mbërthyer Greqinë ka hyrë në një fazë të re dhe tepër të rrezikshme, siç e cilësojnë mediat e huaja e veçanërisht “the Guardian”, teksa vendi i goditur nga mungesa e likuiditetit ka bërë të ditur se do të shtyjë pagesën prej 300 milionë eurosh, këst që duhet ta shlyente brenda kësaj të premteje ndaj FMN-së.

Athina ka njoftuar se do t’i përmbledhë së bashku të gjitha pagesat e detyrueshme ndaj FMN-së në një të vetme dhe do t’i shlyejë ato deri më 30 qershor, shumë kjo që deri atëherë kap shifrën e 1.5 miliardë eurove.

Lëvizja e ndërmarrë nga grekët duket se ka gjetur mbështetje ligjore në rregulloren e FMN-së, por Fondi me seli në Uashington është kapur në befasi nga ky vendim, i cili ka ardhur vetëm pak orë pasi drejtuesja e FMN-së, Christine Lagarde, tha se priste që Greqia ta shlyente detyrimin e saj më 5 qershor, siç ishte parashikuar.

Sipas rregullores, vendeve në vështirësi u lejohet të mbledhin bashkë këstet e borxheve të tyre, vetëm nëse përballen me probleme administrative nga fakti i të bërit të pagesave të shumëfishta, por vendimi i Greqisë për të mos shlyer në kohë borxhet e saj duket se pasqyron pozicionin tepër të vështirë financiar të vendit.

“Autoritetet greke kanë informuar sot Fondin se, ne kemi planifikuar t’i mbledhim bashkë 4 pagesat tona të qershorit, të cilat do t’i shlyejmë më 30 qershor”, tha zëdhënësi i FMN-së, Gerry Rice. “Bazuar te një vendim ekzekutiv i Bordit, i miratuar në fund të viteve ’70, vendet anëtare mund të kërkojnë mbledhjen e kësteve të shumëfishta të borxhit brenda të njëjtit muaj, në një të vetëm. Vendimi synon të adresojë vështirësitë administrative të bërjes së këtyre pagesave të shumëfishta në një periudhë tepër të shkurtër”, shtoi ai.

Edhe ministri grek i Financave ka deklaruar se propozimet e huadhënësve nuk i japin zgjidhje krizës së vendit, përkundrazi sjellin vazhdimësinë e recesionit, papunësi dhe varfëri të madhe.

Greqia, nga ana e saj, u ka dërguar një plan-propozimi prej 47 faqesh kreditorëve të saj me masa dhe reforma për vitet e ardhshme, masa dhe reforma që nuk pranohen në tërësi nga përfaqësuesit e BE-së, FMN-së dhe BQE-s.

Juncker dhe Tsipras kanë rënë dakord të takohen sërish në orët e ardhshme në përpjekjet për të nënshkruar një marrëveshje përfundimtare lidhur me vazhdimin e financimit të Greqisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA