KQZ ngec te kandidati i PD-së në Këlcyrë, për shkak të afateve. PD kërkon çregjistrimin

03/06/2015 00:00

Për herë të parë, partia më e madhe në opozitë bëri edhe publike arsyen përse u tërhoq nga kandidati i saj në Këlcyrë, Gentian Mehmetaj. Përfaqësuesi i saj në KQZ deklaroi se forca e tij politike ka dyshime të arsyeshme për të shkuarën e tij, ndërsa avokati i kandidatit kundërshtoi duke i paraqitur komisionit dëshmitë e penalitetit, në Shqiperi dhe Itali.

“Në rastet kur kandidatët nuk i përgjigjen kërkesës së koalicionit për verifikimin e së kaluarës së tyre, atëherë kandidatët automatikisht në atë moment humbasin mbështetjen e koalicionit, që i ka propozuar, siç është edhe ky rast”, deklaroi Ivi Kaso, përfaqësues i PD-së në KQZ.

“Nuk mund ta quajmë një person të inkriminuar, kur ai person ka paraqitur prova, për të cilat besoj se edhe përfaqësuesi duhet të jetë në dijeni, dhe për t’ia lehtësuar punën KQZ-së mundem edhe t’ia paraqes certifikatën origjinale. Nuk mund të aludojmë që një person është i dënuar dhe ta diskriminojmë personalisht dhe para të gjithë elektoratit. Janë plotësuar afatet, është shfaqur vullneti, ajo parti e ka shfaqur vullnetin për ta emëruar atë kandidat, por nëse ndryshon vullneti 3 ditë përpara zgjedhjeve, kjo nuk është çështje e jona”, tha avokati i ish-kandidatit Gentian Mehmetaj.

Avokati i kandidatit i shtoi këtij argumenti edhe faktin se, ai është verifikuar njëherë, edhe kur është zgjedhur kryetar aktual i një komune në Përmet. Pavarësisht kësaj, 3 anëtarët e propozuar nga opozita në KQZ shprehën gatishmërinë për çregjistrimin e tij. Por rasti, dukshëm vuri në një situatë jo të lehtë komisionin, edhe për shkak të mungesës së shkresave ligjore të PD-së, për argumentimin e qëndrimit të saj për këtë kandidat.

“Ne kemi deklarata publike, kemi edhe një akt zyrtar. Duhet të marrim përsipër të veprojmë përballë deklaratave apo akteve zyrtare?”, pyeti kryetarja e KQZ-së, Lefteri Luzi

“Do të ishte shumë më mirë, që komisioni të mos vihej në këto pozita, dhe që partitë politike t’i kishin filtruar kandidatët e tyre më herët”, u shpreh anëtari nga mazhoranca i KQZ-së, Denar Biba.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë verifikimin e institucioneve shtetërore për të kaluarën e Gentian Mehmetaj për të vendosur më pas, nëse do të bëjë apo jo çregjistrimin e tij.

PDIU, debate në KQZ për numëruesin
“Do ta çojmë çështjen në Kolegjin Zgjedhor”

Kjo mbledhje e KQZ-së nisi me tensionimin e situatës, kur përfaqësues të PDIU-së protestuan sërish për vendimin e një dite më parë, për ta përjashtuar këtë parti nga grupet e numërimit.

“Keni marrë citime të miat, ndaj ju thashë të mos i merrnit ato, për t’i përdorur më pas në logjikën tuaj tërësisht absurde dhe fshatareske për mendimin tim. Ti mund të lajmërosh kë të duash (referuar punonjësve të sigurisë), por vendin këtu ma ka thënë tjetërkush dhe jo ti. Jam garant i subjektit që përfaqësoj. Ndërsa Kodin e Etikës e kam respektuar edhe më shumë se ç’bëtë ju dje, zonja kryetare, që i hoqët të drejtën kushtetuese dhe ligjore një subjekti politik”, tha Gazmend Osmani, përfaqësues i PDIU-së në KQZ.

PDIU, që shprehu pakënaqësinë për qëndrimet e anëtarëve të propozuar nga mazhoranca në KQZ, do ta çojë këtë çështje në Kolegjin Zgjedhor.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta