Bojaxhi premton zhbllokim të hapësirave publike, të kthyera në vendparkime

03/06/2015 00:00

Kandidati i Pavarur për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Gjergj Bojaxhi ka folur gjatë së mërkurës mbi programin e tij për hapësira publike brenda secilës prej lagjeve, të cilat, siç është shprehur ai, janë zënë ose nga ndërtimet ose nga makinat.

Duke sjellë në vëmendje se qyteti ka humbur sheshet e dikurshme, përfshirë lulishtet apo këndet e lojërave, Tirana sipas tij, është shndërruar në një vendparkim gjigant, pa asnjë mjedis tjetër.

“Problemi i parkimit nuk ka qenë asnjëherë në vëmendjen e kryetarëve politikë të Bashkisë së Tiranës. Ata kanë qenë të interesuar vetëm për lejet e ndërtimit dhe favoret fitimiprurëse ndaj ndërtuesve. Një nga favoret e mëdha, që u është bërë ndërtuesve, është që shumica e pallateve janë lejuar të ndërtohen pa parkime nëntokësore”, është shprehur Bojaxhi.

Kandidati i pavarur është angazhuar se, në rast se zgjidhet si kryebashkiak, do t’i shndërrojë sheshet e lagjeve nga vendparkime, ku njerëzit kalojnë më vështirësi, në lulishte dhe parqe të vogla.

“Çdo lagje duhet të ketë një kënd të gjelbëruar për fëmijët, të moshuarit apo të rinjtë”, ka thënë Bojaxhi.

Ai premtoi një plan konkret për zgjidhjen e problemit të parkimeve. Qëllimi i këtij plani është zhvendosja e makinave nga hapësirat publike mes lagjeve, në vendparkime nëntokësore apo të mbyllura.

Duke e përmbledhur planin në disa pika kryesore, Gjergj Bojaxhi thotë se Tirana ende rrezikohet të bjerë në duart e partive, që sipas tij, mund të vazhdojnë pazaret politike në kurriz të hapësirave publike të qytetarëve.

Ja plani i detajuar:

-Të gjitha ndërtimet e reja në Tiranë do të kërkohen, që të kenë parkime nëntokësore të bollshme. Në mënyrë të veçantë ndërtimet tregtare do të kërkohen, që të kenë hapësirë parkimesh për të përballuar edhe një pjesë të kërkesës përtej klientëve të tyre.
-Do të fillojmë një program për ndërtimin e parkimeve të brendshme nëpër lagje, duke e shoqëruar me politikat, që do të heqin makinat nga sheshet.
-Do të transformojmë krejtësisht mënyrën e menaxhimit të vendparkimeve publike, duke përdorur teknologjinë në menaxhimin e tyre.
-Do krijojmë brenda lagjeve sheshe të vogla të gjelbëruara, për një cilësi jetese më të mirë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta