Basha, në Shijak. Kërkon votat për Redi Saraçin

03/06/2015 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është ndalur në Shijak, ku takoi qytetarë të ndryshëm, të cilëve u kërkoi votën për kandidatin demokrat, Redi Saraçi.

Ai tha se dyshja Rama-Meta i kanë bërë gabim llogaritë, teksa bëjnë estradë për të hequr vëmendjen nga problemet e qytetarëve dhe të vendit, dhe se çdo votë për fitoren e së djathtës do të kthehet në punë dhe ndihmë për qytetarin.

Gjatë takimeve, qytetarët kanë shprehur shqetësim për taksat e larta, rritjen e çmimit të energjisë, uljen e fuqisë blerëse, marrjen e ushqimeve veresi, si dhe dëmtimet që po shkakton në të mbjella miu i arave.

Në përgjigje të këtyre shqetësimeve, Basha tha se platforma e së djathtës është më e mira për të nxjerrë qytetarët nga kjo situatë. Ai premtoi heqjen e TVSH-së për mallrat e shportës, vendosjen e taksës së sheshtë më të ulët në Ballkan, uljen e çmimit të naftës në të njëjtin nivel me vendet e rajonit, rikthimin e familjeve – që janë hequr pa të drejtë, siç e cilësoi ai, – në skemën e ndihmës sociale, si dhe çeljen e vendeve të reja të punës.

Në Shijak, kryedemokrati Basha vizitoi dhe piktorin e njohur Agim Faja. Gjatë këtyre takimeve me elektoratin, Basha shoqërohej dhe nga deputeti republikan, Agron Duka.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta