Basha në Gjirokastër: Ekonomia në buzë të humnerës. Votoni për ofertën e shpëtimit

03/06/2015 00:00

Në Gjirokastër, kryetari i PD Lulzim Basha e përshkroi ekonominë e vendit si “buzë humnerës”, që sipas tij është drejtimi i gabuar i vendit nga kryeministri Rama.

“Premtimi për të vazhduar në drejtimin e sotëm është premtimi për t’u zhytur edhe më tej në një borxh kombëtar, që rritet e rritet nga ata që dy vite më parë bërtisnin për borxhin, por që tani kanë rritur taksat, kanë rritur çmimet, kanë rritur dhe borxhin dhe nuk i kanë sjellë asgjë Gjirokastrës dhe Shqipërisë. Përkundrazi, ata kanë ndalur, apo po zvarrisin edhe ato kantiere pune që i gjetën hapur”, tha Basha.

Për të ndalur humnerën ekonomike të vendit, Lulzim Basha kishte një mesazh për votuesit e majtë. Ajo që propozon Partia Demokratike në nivel kombëtar dhe lokal është ulja e taksave, ulja me 25 për qind e çmimit të energjisë dhe falja e kamatvonesave, rishikim i taksës së qarkullimit për uljen e çmimiit të karburanteve.

“Zgjidhje konkrete për halle konkrete, larg estradës qeveritare, larg talljeve dhe poshtërimit të përditshëm. Unë, Lulzim Basha, zotohem këtu në Gjirokastër se do t’jua shpërblej votën tuaj për PD me vendosmërinë time për të mos u kthyer mbrapa, derisa ta fitojmë betejën tuaj për taksa të ulura, çmime të ulura, për punë dhe diinjitet”, tha Basha. 

Më herët, Basha ishte në Lazarat. Një vit pas ndërhyrjes antikanabis të policisë në këtë fshat, Basha u kujdes disa herë që t’i veçonte banorët atje nga narkotrafikantët dhe t’i identifikonte këta të fundit me drejtuesit më të lartë të qeverisë.

“Kurrë nuk kemi qenë kundër luftës ndaj bimëve narkotike, por halli i dyshes Rama-Meta nuk ishte të hiqte hashahshin, por halli ishte të merrte hashashin për vete, ta kultivonte dhe ta tregtonte. Ata që stigmatizojnë Lazaratin janë përgjegjës për rritjen e trafikut të lëndëve narkotike, për trafikun nga ajri si asnjëherë më parë të hashahit, kokainës dhe heroinës. Janë ata që trafikantët jo vetëm nuk i luftojnë, por i kanë bërë deputetë të partive të tyre, i kanë bërë drejtorë policie. Kjo është dyfytyrësia e tyre”, deklaroi Basha.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta