Veliaj: Zgjidhje problemit të parkimeve

02/06/2015 00:00

Zgjidhja e problemit të parkimit në kryeqytet me ndërtimin e parkingjeve nëntokësore, përfundimi i Unazës së Madhe brenda mandatit të parë dhe shtimi i linjave të transportit urban kanë qenë vetëm disa nga zotimet e kandidatit të mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, gjatë prezantimit të programit konkret për trafikun, parkimin dhe transportin publik në kryeqytet.

“Do të investojmë për një ndërtim parkingjesh nëntokësore. Do të rikonceptojmë totalisht linjat e autobusëve në Tiranë. Nga dhjetë linja ekzistuese që kemi, që i shërbejnë vetëm zonës urbane, do ta çojmë në 19 deri në 20 linja të reja. Është e paimagjinueshme që dikush që udhëton nga Vaqarri në Dajt, të ndërrojë 4 autobusë e të paguajë 4 bileta. Në Tiranën e 1 milion banorëve ne duhet të kemi një shërbim transporti unik, ku bileta e bashkisë të ketë vlerë në secilën prej linjave të autobusëve”, shpjegoi Veliaj.

Kandidati i majtë është ndalur edhe tek premtimet e pambajtura të Lulzim Bashës: “I kujtoj këto premtime, sepse janë të njëjtat premtime që po bëjnë sërish pas katër vitesh. Po riciklojnë premtimet”.

Por, Veliaj nuk ka kursyer as paralajmërimet për tenderët që Bashkia është duke bërë në ditët e fundit, duke premtuar një audit të plotë: “Po bëjnë një tender 8 milionë euro për sahatët e ujësjellësit. Është tenderi i shtatë në katër vjet. Unë i them që e di kush jeni dhe se do të shkoni të gjithë përpara drejtësisë. Do të luftoj çdo lloj tenderi që është bërë për ta lënë bashkinë trokë. Do të bëjmë një audit në Bashkinë e Tiranës”.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta