Veliaj: Basha e bëri një punë, i dha leje ndërtimi… Bashës

02/06/2015 00:00

Fushata e kandidatit të mazhorancës për Tiranën, Erion Veliaj deri tani është bazuar jo vetëm tek premtimet për ndryshime në Tiranë dhe kthimin e saj, siç thotë ai, në drejtimin e duhur, por edhe tek theksimi i faktit që në katër vjet, nga dita e zgjedhjes e deri tani, Lulzim Basha si kryetar bashkie nuk ka bërë asnjë punë për Tiranën.

Por pasdite, gjatë prezantimit të programit në njësinë numër 9 në Tiranë, Erion Veliaj e ka modifikuar paksa këtë qëndrim, duke i pranuar kreut të opozitës dhe kryetarit aktual të bashkisë një punë, siç tha Veliaj.

“E dini se çfarë kishte bërë vetë Luli në 1 gusht vjet? Kur ju mendoni që Partia Demokratike ishte në krizë, që Tirana nuk menaxhohej dhe ky nuk bënte asnjë punë. Vjet më 1 gusht i kishte dhënë leje…kujt i kishte dhënë leje – do të thoni – Lulzim Basha? Lulzim Basha i kishte dhënë leje…Lulzim Bashës për të bërë një kat paleje aty ku ka shtëpinë në kat të 12, për të bërë katin e 13-të. E gjithë Tirana, me moratorium për ndërtimet, e gjitha Tirana ndaloi ndërtimet, e gjithë Shqipëria ndaloi ndërtimet, Lulzim Basha vajti një ditë në punë, pasi kishte një vit që rrinte në Holandë dhe i dha leje Lulzim Bashës për të bërë katin e 13-të aty ku ka banesën e vet në kat të 12. E ka bërë një punë, i ka dhënë leje vetes së vet”- deklaroi Veliaj.

Erion Veliaj i referohet një vendimi të marrë më 1 gusht të vitit të kaluar nga Bashkia e Tiranës. Bëhet fjalë për një kërkesë të depozituar dhe firmosur nga Lulzim Basha, si kryetari i Bashkisë së Tiranes dhe aprovuar nga KRT e drejtuar prej tij, për ndërtimin e një kati shtesë mbi objektin ekzistues, një pallati 12-katësh, ndodhur në rrugën “Skerdilajd Llagami” pas stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, në pronësi të Bashës dhe bashkëshortes së tij, Aurela Isufi.

Ndërkaq, në takimin me banorët e njësisë numër 9 në Tiranë, Veliaj u shpreh se janë identifikuar gjithsej 365 probleme të cilat lidhen kryesisht me infrastrukturën e rënduar rrugore, mungesën e hapësirave argëtuese dhe problemet me objektet arsimore.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta