PD i propozon mazhorancës firmosjen e paktit: Të heqim nga lista të inkriminuarit

02/06/2015 00:00

Pasi vendosi që të tërheqë kandidatin e saj për kryetar bashkie në Këlcyrë, Partia Demokratike deklaroi sot se i ka propozuar mazhorancës për të firmosur një pakt për largimin e të gjithë individëve me rekorde kriminale nga zgjedhjet e 21 qershorit.

Sipas Oerd Bylykbashit, propozimi me 4 pika i është dërguar 2 javë më parë shumicës, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“Partia Demokratike propozon nënshkrimin e një pakti, që do mundësojë: 1- Verifikimin për pasjen ose jo të rekordeve të rënda kriminale, për cilindo nga kandidatët e regjistruar për zgjedhjet e 21 qershorit, nëse një nga subjektet politike nënshkruese të paktit e kërkon këtë; 2- Përdorimin e gjurmëve të gishtërinjve për çdo rast të kërkuar, me qëllim verifikimin e plotë e të saktë të rekordeve kriminale; 3- Tërheqjen e menjëhershme nga gara të kandidatëve, që rezultojnë me rekorde të rënda kriminale, ose refuzojnë verifikimin e të dhënave të tyre. 4- Partia Demokratike është e bindur se dekriminalizimi është mbi të gjitha vullnet politik, dhe se nuk jemi kurrë vonë për ta fituar këtë betejë”, u shpreh deputeti demokrat Oerd Bylykbashi.

Në fund, Bylykbashi tha se “Partia Demokratike i bën thirrje kryeministrit Rama dhe mazhorancës të tregojnë vullnetin e tyre politik për të larguar personat me rekorde kriminale, nga listat e kandidimit në zgjedhjet e 21 qershorit, duke nënshkruar pa vonesë këtë pakt politik mes partive dhe duke hapur rrugën për zbatimin e menjëhershëm të tij”.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta