Kosova shpalos planin për Njësinë 2: Ndërhyrje në çdo lagje e bllok banimi

02/06/2015 00:00

Njësia 2, deri në Farkë, ishte pikënisja e turit të Halim Kosovës për prezantimin e planit të detajuar për Tiranën. Rrugë të reja, gjelbërim, kopshte dhe çdo detaj tjetër ishin pjesë e planit, që Kosova përmendi, por mbi të gjitha, ai beson se do të votohet më 21 qershor për një arsye të thjeshtë.

“Jam i sigurt që të gjithë ju dhe mijëra të tjerë do të më besoni kur ta bëj këtë, edhe për faktin që të hënën kam shpjeguar me zemër dhe me shpirt arsyen përse jam këtu para jush. Plane dhe projekte mund t’i bëjë çdo njeri dhe ne jemi bërë specialistë për të bërë letra, por problemi që atë letër ta bësh realitet për qytetarët është një lloj sekreti, që nuk e ka çdonjeri”, tha Kosova.

Pothuajse 24 orë pas ftesës për kafe për kryeministrin, dhe kur ende nuk ka përgjigje prej tij, Halim Kosova nuk i ka humbur shpresat.

“Dua t’i them vetëm të mos ma vonojë atë kafen, le ta caktojë atë dreq dite, sepse e kam merak për ta sqaruar. Me të vërtetë e ka ai burrë që, po të jetë socialist kryebashkiaku i ardhshëm do ta ndihmojë, dhe po të jetë demokrat do ta groposë? Kjo më duket e pabesueshme, por them që e ka shaka elektorale, siç kishte mjekësinë falas e shumë gjëra të tjera. Megjithatë, këtë do ta sqaroj përpara datës 21 dhe të jeni të sigurt që do të më thërrasë për kafe”, tha Halim Kosova.

Halim Kosova premtoi se, si kryetar i Bashkisë së Tiranës nuk do të bëjë dallime partiake mes banorëve të kryeqytetit.

“Për mua të gjithë qytetarët janë njësoj. Të majtë, të djathtë, të varfër e të pasur, çdo gjë që do ta bëjmë, do ta bëjmë për banorët e Tiranës, për Tiranën kryeqytet të të gjithë shqiptarëve”, deklaroi Kosova.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta