
Arben Peçi, kryetar i Dhomës Kombëtare të Veshjeve, thotë se ngadalësimi i lehtë në eksportet e fasonit është i lidhur me konjukturën e tregut europian.
“Ne realizojmë porositë që vijnë nga tregu europian, që është një treg i gjerë dhe në krizë. Në këto muaj kemi edhe një ndërrim të prodhimtarisë, nga ato të sezonit veror në atë dimëror. Mendoj se ky është shkaku i kësaj uljeje të vogël të eskportit”, shpjegon Peçi.
Sipas tij, vitet e fundit industria ka patur rritje të vazhdueshme dhe pritshmëritë janë që kjo tendencë të vazhdojë: “Ka sinjale të mira nga Italia dhe këto do të reflektohen në vendin tonë”.
Por, Peçi thotë se sektori mund të mbështetet më shumë me disa masa lehtësuese që Dhoma Kombëtare e Veshjeve ka propozuar për paketën e re fiskale: “Heqja e TVSH-së për nënkontraktorët; rimbursimi i TVSH-së korente dhe asaj të prapambetur brenda afateve ligjore; ndryshimi i taksimit të sipërfaqeve të punës të marra në përdorim apo me qira; ndryshimi i taksimit të terminalit doganor; të tarifohen bizneset për konsumin e energjisë elektrike, sipas llojit të tensionit”.
Vitin e kaluar, eksportet e fasonit u rritën me 25% duke amortizuar plotësisht rënien e eksporteve të naftës. Por, këtë vit, shitjet jashtë të sektorit u ngadalësuan dhe në katër muajt e parë të vitit ishin 2% më të ulëta.
Top Channel