Dako: Vitin e ardhshëm vihet në punë rezervuari i Tarinit

02/06/2015 00:00

Kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka inspektuar rezervuarin e Tarinit, i cili nuk funksionon prej 10 vjetësh.

Ai tha se në fillim të vitit të ardhshëm, ky rezervuar do të bëhet funksional për vaditjen e tokave bujqësore të fermerëve të të gjithë zonës.
 
“Vitin e ardhshëm, në muajt janar-shkurt, ky rezervuar do të jëtë tërësisht funksional, dhe pas tij, ne do të normalizojmë edhe 18 rezervuarët e tjerë që gjenden në territorin e bashkisë së re të Durrësit. Ky do jetë i pari, dhe në fillim të vitit të ardhshëm do të jetë gati 100% për fermerët e Shkafanës, Hamallës, Manzës, Kullës, Perlatit dhe Rrushkullit”, tha Dako.

Krahas rivënies në punë të rezervuarit të Tarinit, Dako tha se do të pastrohen dhe do të vihen në punë edhe 240 km kanale kulluese, në mënyrë që uji për vaditje të shkojë në të gjitha parcelat e fermerëve.

“Ne mendojmë se bujqësia nuk mund të zhvillohet duke pritur shi nga qielli, por me një sistem funksional vaditës, dhe për këtë arsye, në vizionin tonë kemi përcaktuar si përparësi për zhvillimin e Durrësit turizmin dhe bujqësinë”, shtoi Dako.
 
Kapaciteti i rezervuarit të Tarinit ka qenë 11 milionë metra kub ujë dhe uji për vaditjen e tokave kalonte përmes kanalit Tarin-Rrushkull. Një pjesë e këtij kanali, 2-3 kilometrat e parë pastroheshin me krahë, ndërsa pjesa tjetër me ekskavator.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta