FOTO/ Kryesoi me shumicë dërrmuese votash, shoqërohet me të qeshura dhe përqafime fitorja e Ervin Cecës në Berat Një ditë pas çregjistrimit të kandidatit të Partisë Demokratike në Kurbin, Ilir Pjetraj, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu ka mbërritur të martën paradite në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku është takuar me 7 anëtarët e këtij institucioni.
Njoftimi zyrtar i KQZ-së thotë vetëm se, diplomati amerikan është njohur me ecurinë e procesit të deritanishëm të zgjedhjeve dhe vendimmarrjet e institucionit më të lartë zgjedhor, por mësohet se qëllimi i takimit ka qenë një tjetër.
Burime brenda takimit bëjnë me dije se ambasadori amerikan ka përshëndetur vendimmarrjen e një dite më parë të KQZ-së për regjistrimin e Altin Bibës si kandidat i PD-së në Kurbin. Diplomati mësohet se ka nxitur trupën zgjedhore që t’i përgjigjet sfidës së dekriminalizimit të politikës shqiptare dhe të zgjedhurve të saj.
Në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në gjuhën shqipe, ambasadori amerikan mësohet të ketë thënë se “është detyrë edhe e KQZ-së pastrimi i politikës nga kriminelët”.
Në këtë mënyrë Donald Lu mësohet se ka nxitur trupën më të lartë zgjedhore të vijojë me çregjistrimin e çdo kandidati të identifikuar si i inkriminuar, që vjen si kërkesë e partive politike.
Por, duke mbajtur në konsideratë vendimmarrjen e një dite më parë në rastin e Kurbinit për të mos pranuar dorëheqje pas mbylljes së afatit ligjor të regjistrimit, anëtarët e KQZ-së kanë shprehur edhe pamundësinë ligjore për të vepruar në një tjetër mënyrë me kërkesën për kandidatin e Partisë Demokratike në Këlcyrë.
Në këtë rast, kërkesa për këtë të fundit ka mbërritur në KQZ për çregjistrim nga vetë subjekti politik, që megjithatë nuk ka dhënë arsyet shpjeguese në relacion për kërkesën e mospërfaqësimit me të.
Pyetur nga Top Channel, nëse ambasada amerikane ka kërkuar nëse duhet të injorohet Kodi Zgjedhor me qëllim largimin e kandidatëve të dyshuar për përfshirje në aktivitet kriminal, një zëdhënës i Ambasadës Amerikane u përgjigj se, siç thuhet në njoftimin e KQZ-së për takimin me ambasadorin Lu, ai ka përgëzuar këtë institucion për punën e tij për të zbatuar Kodin Zgjedhor.
“Ai theksoi rëndësinë që kanë të gjitha institucionet zgjedhore, nga Komisionet e Qendrave të Votimit, tek KQZ dhe tek Kolegji Zgjedhor për të zbatuar ligjin në mënyrë transparente dhe dhe të përgjegjshme. Çfarëdo shtrembërimi i takimit, është i pasaktë dhe i keqinformuar” – thotë në përgjigjen e saj Ambasada Amerikane.
Qëndrimet e selisë diplomatike amerikane për dekriminalizimin nuk janë të panjohura, pasi vetëm pak kohë më parë ambasadori Lu do të deklaronte: “Kemi identifikuar kandidatë me histori kriminale”.
Vetë kjo ambasadë ka mbajtur kontakte të vijueshme me partitë politike në vend, për atë që ambasadori amerikan pohoi pak kohë më parë se ishin identifikuar kandidatë me rekorde kriminale.
Por mesa duket kjo betejë e selisë diplomatike të SHBA vijon edhe pse vetëm 19 ditë na ndajnë nga data e zgjedhjeve, duke bërë atë që partitë më të mëdha nuk arritën të realizonin, vendosjen e filtrave ligjore për të penguar kandidimin e të inkriminuarve.
Top Channel