Ahmetaj: Kredia e BB-së, jo vetëm financim. Nxit reformimin e shpejtë të ekonomisë

02/06/2015 00:00

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj deklaron se, kredia 1.2 miliardë dollarë, që Banka Botërore akordoi për Shqipërinë nuk është thjesht mbështetje financiare, por një program që nxit reformimin e shpejtë të ekonomisë.

“Është hera e parë që një donator, siç është Banka Botërore, kushtëzon dhënien e mbështetjes buxhetore me reforma strukturore, që kanë të bëjnë me klimën e biznesit. Është mbështetje reformash”, u shpreh ministri Ahmetaj.

Vetë Banka Botërore e konsideroi mbështetjen financiare për Shqipërinë, si të paprecedentë. Sipas saj, paketa e kredisë do të mundësojë qëndrueshmërinë financiare të vendit, lehtësimin e klimës së biznesit dhe përmirësimin e qeverisjes.

“Kemi një paketë mbështetjeje me kosto shumë të ulët, në harmoni të plotë me nevojat e vendit dhe të qytetarëve, por edhe me të gjitha prioritetet e shënuara drejtpërdrejt në vetë programin e qeverisë Rama”, shton më tej ministri Ahmetaj.

Përmes nxitjes së reformave në këto fusha, programi i bashkëpunimit ka një objektiv mbi gjithë të tjerët, përshpejtimin e rritjes dhe zhvillimin e shpejtë ekonomik.

“Po t’i shohësh të gjitha nënobjektivat, kanë kapur nervat e zhvillimit ekonomik të vendit dhe nervat e përmirësimit të jetës së bizneseve e të qytetarëve. Të gjitha këto çojnë në një destinacion; rritjen ekonomike të vendit në synimin që ne kemi me mbi 4%, e që përkthehet drejtpërdrejt në përmirësim të jetës së qytetarëve”, deklaroi ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Banka Botërore është donatori më i madh në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 1991, ky institucion ka financuar mbi 1.4 miliardë dollarë në ekonominë shqiptare. Por, në 5 vitet e ardhshme ky financim do të rritet me gati dy herë, si mbështetje e drejtpërdrejtë e buxhetit dhe masave, që nxisin rritjen ekonomike.

Top Channel