LZHK hap fushatën në Tiranë: Kryeqytetit i duhen trefishuar fondet

31/05/2015 00:00

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar prezantoi platformën e saj për Tiranën, në prani të kandidatit të së djathtës për kryeqytetin, Halim Kosova. Dashamir Shehi, vetë një ish-kandidat për Bashkinë e Tiranës, bëri një panoramë të nevojave që ka ky qytet.

“Në Tiranë, në qoftë se ne nuk i liberalizojmë lejet e ndërtimit, jo që të ndërtojmë te sheshi Skënderbej, por që t’i japim një mundësi qytetarëve shtëpi për shtëpi, të shohin një të ardhme me pasurinë e vetë. Fatkeqësisht nuk kemi ndonjë pasuri të madhe në këtë qytet, por kemi nga një oborr dhe një shtëpi”, tha kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi.

Kreu i LZHK-së tha se duhen trefishuar fondet për kryeqytetin, pasi ai ka nevojë për vepra të mëdha infrastrukturore, duke nisur nga rrugët.

“Çdo vit kemi shtime, për çdo metër rrugë dy makina, gjë që nuk mund të ndodhë në ndonjë qytet tjetër. Sigurisht që do të vijë dita që ky qytet do të vetëbllokohet, siç edhe është bllokuar. Çlirimi i transportit publik këtu në kryeqytet është nevojë urgjente”, tha më tej Shehi.

Duke mos evituar as në diskutimin publik dialektin e një tiranasi të vjetër, Dashamir Shehi shprehu mbështetjen për Halim Kosovën, si kandidaturën që korrigjon zgjedhjet e mëparshme për Tiranën.

“Kemi shumë punë të mëdha për të bërë dhe këto punë bëhen me burra të ndershëm, me administratë të rregullt dhe me burra që kanë kurajo. Unë gjykoj që këtë radhë kemi rënë në shenjë”, u shpreh Shehi.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta