
Kandidati i majtë për Tiranën, Erion Veliaj ka zhvilluar paraditen e së shtunës një tjetër dëgjesë me qytetarët, këtë në Kashar.
Veliaj ka deklaruar se nëse votohet si kryebashkiaku i ardhshëm i kryeqytetit do të zgjidhë brenda mandatit të parë problemet me legalizimet dhe të infrastrukturës, që sipas tij, janë kthyer në plagë të Kasharit dhe zonave të tjera në rrethinat e Tiranës.
“Ambicja jonë është shumë e lartë për Tiranën, Kasharin, Ndroqin etj. Problemet kryesore të Kasharit kanë të bëjnë me legalizimet, hipotekat dhe linjën elektrike, probleme që ne do t’i zgjidhim. Brenda mandatit tonë të parë, legalizimet dhe hipotekimet do të jenë përrallë nga e kaluara”, ka thënë Veliaj.
Një tjetër premtim ishte furnizimi me ujë. Kandidati i majtë ka nënvizuar se, “ujësjellësat e Tiranës duhet të vihen në dispozicion të Vaqarrit, Kasharit dhe Ndroqit”.
Ndërsa sa i takon bujqësisë në këto zona, Veliaj ka propozuar krijimin e tre tregjeve të reja për produktet bujqësore, për të shmangur monopolin.
Top Channel