
Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me banorë të qytetit të Përmetit, kërkoi mbështetje për kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane, Gilberto Jaçe.
“Mbështetja për projektin tonë të përbashkët për Përmetin do të jetë fillimi i një mandati të ri me punë, punë dhe punë për Përmetin dhe përmetarët”- nisi fjalën e tij, kryeministri Rama.
Kryeministri e vuri theksin tek projekti i rëndësishëm i qeverisë për të rikthyer në funksion kanalet vaditëse e për t’i dhënë fund në këtë mënyrë, siç tha ai, një gangrenë 20 e ca vjeçare.
“Për të pastruar gjithë çfarë është bllokuar e shkatërruar, nuk mjafton vetëm një vit. Unë ju siguroj që brenda një viti ne do të jemi dëshmitarë të një ndryshimi rrënjësor në infrastrukturën e ujitjes dhe të kullimit në fshat”- tha Rama.
Sipas kryeministrit Partia Demokratike nuk ka në qendër të politikës së saj zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, e ndaj nuk mund të konsiderohet as si një alternativë.
“Partia Demokratike nuk po bën një fushatë ku të flitet për këto probleme. Po bën një fushatë ku motoja është ishim më mirë, kur ishim më keq, prandaj o burra të kthehemi aty ku ishim!”- shtoi shefi i qeverisë.
Për të treguar mënyrën e të punuarit të PD, kryeministri drejtoi gishtin te mungesa qoftë e një modeli të vetëm që të paraqitet si mundësi më e mirë për qytetarët në pushtetin lokal.
“Më i miri që kanë ata është ai i Tiranës, që nuk i duhet dreqit, jo më Bashkisë së Tiranës, që 4 vjet në Tiranë nuk bëri asgjë. Dy vitet e para, kur kishte qeverinë e tij fjeti gjumë me gërhima, dy vitet e dyta që erdhëm ne, u zgjua nga gjumi vetëm sa herë e ngacmonin dhe i thonin ore bëj ndonjë punë, ai thoshte më lini të fle”- tha Rama.
Ndërkohë kandidati Jaçe theksoi se Përmeti tashmë e ka zgjedhur rrugën e duhur.
“Ne e kemi të qartë dhe e kemi përcaktuar rrugën tonë, drejtimin e Përmetit, do të jetë një vend me turizëm të qëndrueshëm, me një bujqësi e blegtori bio, me një agro-industri të zhvilluar. Pra ne e kemi të qartë dhe në një periudhë prej 4-5 vitesh do të shohim të gjithë frutet e kësaj pune”- deklaroi kandidati Jaçe.
Top Channel