Halim Kosova: Më shumë autonomi financiare nga qeveria

30/05/2015 00:00

Që bashkia e Tiranës të jetë sa më funksionale dhe në shërbim të plotë të qytetarëve, Halim Kosova kërkoi më shumë autonomi financiare nga qeveria.

“Ashtu sikurse zoti Rama negocioi kur ishte kryetar bashkie që t’i merrte bashkia t’i mblidhte taksat e vogla, dhe që kur iku kryeministër i morri prapë nga bashkia e i çoi në qeveri. Unë do negocioj që këto taksa të mblidhen nga bashkia e Tiranës dhe unë do u them arsyen se pse”, tha Dr. Kosova.

Arsyeja sipas Halim Kosovës lidhet direkt me performancën e dobët të autoriteteve tatimore qendrore.

“Nga të dhënat zyrtare të institucioneve shtetërore, ka rezultuar se është mbledhur 30 për qind më pak se sa kur e kishte bashkia e Tiranës”, tha Halim Kosova.

Me uljen deri në 30 përqind të taksave dhe tarifave në bashkinë e Tiranës, me lehtësitë e tjera fiskale dhe burokratike, si dhe me klimën miqësore ndaj biznesit, Halim Kosova beson se do të nxisë biznesin dhe do të rrisë bazën e taksapaguesve, duke rritur të ardhurat në arkën e bashkisë.

“Bashkia e Tiranës do të ketë 10 për qind më shumë të ardhura se sa sot”, tha Kosova.

Bashkëbisedimi me përfaqësues të biznesit të vogel, ishte një rast që Halim Kosova të përgënjeshtrojë rivalin e tij Erion Veliaj, i cili e akuzoi për ndërtim pa leje të klinikës.
Dokumentat që paraqitit Partia Demokratike tregonin dhënien e lejes në vitin 2004 nga kryetari i bashkisë Edi Rama, një fakt që e përmendi dr.Kosova.

“Le të pyesi Ramën, Rama ma ka dhënë lejen kur ishte kryetar bashkie. Dhe e kam falenderuar, e falenderoj dhe sot nuk kam asnjë kompleks. Ka vënë firmën ai, apo se ka si një zhgarravinë të gjatë”, tha Kosova.

Me një gjuhë popullore, Halim Kosova tha se do të qëndrojë larg konfliktit, në shërbim të qytetit. “Më sulmojnë tani, as më bëhet vonë fare. Pse nuk më sulmonin para zgjedhjeve? E vetmja gjë që duhet, punë, jo llafe”, u shpreh Dr. Kosova.

Top Channel