
Urbanizim të plotë të të gjithë zonave informale. Ky është premtimi i kandidatit socialist për bashkinë e Durrësit, Vangjush Dako.
Ai ka marr pjesë në takimin e organizuar nga Ministria e Zhvillimit Urban me banorët e Porto Romanos, për përfshirjen e kësaj zone në projektin pilot për zhvillimin dhe urbanizimin e zonave informale.
“Jam i bindur se ky projekt do të fillojë të bëhet realitet që në fillimin e vitit të ardhshëm, ndërsa ne si bashki kemi vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e administratës tonë. në mënyrë që të rrisim cilësinë e jetës për këta banorë. Bashkia e Durrësit ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë për urbanizimin e plotë të të gjitha zonave informale. Ashtu siç kemi bërë në zonën që tashmë me të drejtë i themi Durrësi i ri, ku kemi realizuar ndërtimin e 10 rrugëve të reja me të gjithë parametrat bashkëkohorë, si kanalizime, ndricim dhe gjelbërim, ashtu do të bëjmë edhe për zonat e tjera”, tha Dako.
Dako deklaroi para banorëve të Porto Romanos se zona e lirë ekonomike që u miratua me vendim qeverie në afërsi të kampusit të universitetit në Spitallë, do të hapë mijëra vende pune, ku pritet të punësohen mijëra banorë të Spitallës, Porto Romanos dhe të të gjithë Durrësit.
Top Channel