
Pas takimit në njësinë numër 5 të kryeqytetit, zonën ku jeton kandidati Halim Kosova, Erion Veliaj u ndal të premten në njësinë 8, zona ku banon Lulzim Basha, kryetari aktual i bashkisë.
Në të dyja zonat, Veliaj konstatoi se gjendja është e mjerueshme dhe përballë kësaj situate i drejtoi një pyetje si Bashës ashtu edhe Kosovës.
“Kur jeni të paaftë të rregulloni lagjen tuaj, të vini asfalt aty ku kaloni përditë, për çfarë na duheni ne të tjerëve? Për çfarë i doni katër vjet të tjera kur e shkatërruat Tiranën në 4 vitet që kishit? Çfarë do të bëni në 4 vjet të tjera”, deklaroi Veliaj.
Pas kësaj, Veliaj bëri prezantimin e programit me projektet specifike që do zhvillohen në njësinë 8, ku janë identifikuar gjithësej 143 probleme.
“Problemi më i madh i lagjes është ai i rrugëve. Banorët që gjatë dimrit jetojnë mes baltës dhe ujit e dinë mirë se për çfarë flasim. Investimet e bashkisë do të shkojnë në rrugët kryesore të kësaj lagjeje”, tha Veliaj.
Në fund, pasi përshëndeti vendimin e gjykatës për pezullimin e punimeve tek diga e liqenit, Veliaj dërgoi një mesazh të qartë drejtuar Bashës dhe jo vetëm.
“Ashtu siç u pezullua ky ndërtim, do t’i shkojmë deri në fund luftës për të 60 lejet që Basha dhe Shkëlzen Berisha dhanë në prag të fushatës, për t’u siguruar që qyteti ka parqe e jo beton”, tha Veliaj.
Top Channel