Veliaj: Ja plani im për infrastrukturën e Tiranës

29/05/2015 00:00

Erion Veliaj ka zgjedhur pikërisht një kantier ndërtimi pas Katedrales Ortodokse në kryeqytet, e cila deri pak kohë më parë konsiderohej si hapësirë e vdekur, por që pritet të kthehet në shërbim të qytetarëve, për të prezantuar programin e tij për infrastrukturën e bashkisë së re të kryeqytetit.

Por gjatë këtij prezantimi, Veliaj ka bërë publik dhe një fakt për godinën në pronësi të kandidatit kundërshtar Halim Kosova.

“Lajmi i mirë është që edhe ai kishte përfituar nga procesi i legalizimit. Ndërtim pa leje, 5-katësh në mes të Tiranës, i legalizuar falë reformës sonë. Imagjinoni, as partia e tyre s’legalizonte ministrat e saj pa paguar haraçin. Nuk jam këtu për polemikë, por për të thënë se, si mund të kandidojë për bashkinë një njeri që ka ndërtuar një pallat pa leje në mes të Tiranës? Ne e kemi një kryebashkiak që jep shembullin e keq”, tha Veliaj.

Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës është ndalur në pesë zotime kryesore, të cilat janë dhe ndërhyrjet më emergjente që kërkon kryeqyteti.

“Të rehabilitojmë të gjitha rrugët e degraduara, të vendosim në funksion të plotë sistemin e kanalizimeve, të pajisim me puseta të gjitha rrugët dhe trotuaret, të rikthejmë në shërbim të qytetarëve çdo metër katror trotuar, të krijojmë hapësira për transportin publik dhe me biçikleta”, premtoi Veliaj.

Top Channel